Botë

“Charlie Hebdo”, nis procesi gjyqësor për sulmin e vitit 2015

02.09.2020 13:44

14 persona përballen me drejtësinë në Francë, për sulmin terrorist të përpara 5 viteve...

14 persona përballen me drejtësinë  në Francë,  për sulmin terrorist të përpara 5 viteve ndaj gazetarëve të revistës satirike “Charlie Hebdo”. Gjykimi mbahet 5 vite pas sulmit për shkak të përfundimit të hetimit dhe pandemisë që stërzgjati procesin.
 
Shumica e të akuzuarve për bashkëpunim në ngjarjen që ndryshoi vendin, janë në bankën e të akuzuarve, ndërsa tre gjykohen në mungesë. Mbi ta rëndon akuza se kanë ndihmuar dy agresorët islamikë të cilët qëlluan për vdekje 12 persona në zyrat e revistës në janar të  vitit 2015. Një militant i tretë vrau një police dhe sulmoi një super-market hebre. 
 
Brenda tre ditëve që terrorizuan vendin, u vranë 17 persona. Këto vrasje shënuan fillimin e një vale sulmesh xhihadiste në Francë, të cilat morën gjithsej 250 jetë njerëzore. Redaksia e “Charlie Hebdo”  shënoi fillimin e gjyqit duke ribotuar karikaturat e diskutueshme të profetit Muhamed që nxitën protesta në disa vende myslimane.