Maqedoni

Ndërtimi te “Mavrovasja”, me prani policore nis rrënimi i objektit ilegal, Aliti: Është hakmarrje politike, kam lejet e duhura

02.09.2020 15:17

Ekipet e NP “Rrugët e Maqedonisë”, të shoqëruar nga policia, nisën mëngjesin e së mërkurës rrënimin e objektit që po ndërtohej në mënyrë ilegale tek Q. T. “Mavrovasja”...

Teksa filloi rrënimi i objektit, para mediave u shfaq pronari i tij, Mevludin Aliti, bashkë me avokatët e me dokumentet që, sipas tij, janë lejet ligjore për renovim të objektit. Ai e cilëson rrënimin si hakmarrje politike. Sqaroi se ka qenë shumë herë në komunë e për faktin se përse nuk sqaroi më herët se ka dokumente, tha se ka menduar që nuk ka përse të japë sqarim për çështje që nuk janë të interesit publik.
 
“Ja projekti që është bërë për renovimin e parcelës. Shkruan gjithçka. Ja edhe revizionin e projektit me datë, me gjithçka. Nuk kam dashur të dal para kamerave, sepse objekti im nuk ka qenë objekt i interesit publik. Le të rrënojë shteti gjithçka, ashtu siç është mësuar. M’i ka lënë punëtorët pa bukë, ma ka lënë familjen pa bukë. Nëse është e nevojshme edhe në Strasburg do të shkoj.”,- deklaroi pronari i objektit, Mevludin Aliti.
 
Edhe avokatët e tij pohojnë se ka leje për ndërtim me kusht të mos dilet nga kornizat ekzistuese. 
 
“Investitori gjatë renovimit të objektit nuk mund të kushtëzohet se me çfarë materiali do ta ndërtojë të njëjtin. E vetmja gjë që duhet pasur kujdes është që të mos dilet nga kufijtë e objektit të mëparshëm ekzistues, të mos ndikojë negativisht tek objektet fqinje dhe të mos prishet stabiliteti i tokës.”,- tha avokati i pronarit të objektit, Agron Halimi.
 
“Ky objekt është në të njëjtën hapësirë, ka përfituar legalizim. Asnjë ndërtim ilegal nuk ka leje për ndërtim, andaj në vetë listën pronësore thuhet: Statusi i pronësisë me legalizim.”,- theksoi avokati i pronarit të objektit, Aleksandër Varella.
 
Aksioni vjen pas dështimit të komunës së Çairit për të gjetur pronarin që sipas ligjit duhej ta rrënonte vetë, e pas dështimit edhe të 3 tenderëve për firmën që do pranonte ta rrëzonte, i fundit madje me çmim më të lartë se kostoja reale. Në mbledhjen e saj të parë, Qeveria vendosi të rrënojë objektin pa pritur më komunën. Ndaj Alitit ka edhe një kërkesë për padi penale, për veprën “ndërtim i paligjshëm”.
 
Objekti për më shumë se një muaj u shndërrua në lëndë e debatit në opinion dhe mes institucioneve. Komuna në vazhdimësi insistonte se nuk e di kush i zhvillon punimet.
 
ZEKIRJA MEXHITI