LOE: Ndihmë për kompanitë, luftë korrupsionit

02.09.2020 16:04

Ndihmë e orientuar për kompanitë të cilat kanë më së shumti nevojë....

Ndihmë e orientuar për kompanitë të cilat kanë më së shumti nevojë, ulje e detyrimeve para-fiskale dhe lufta kundër korrupsionit, janë kërkesat themelore të afaristëve, të cilat LOE ia parashtroi kryeministrit.

Nga LOE kërkojnë miratim sa më të shpejtë të masave dhe inkluzivitet të të gjithë faktorëve në këtë proces.

“Do të duhet që me pakon e katërt t’i ndihmohet ekonomisë, që cikli ekonomik mos të ndalet, por të vazhdojë të lëvizë përpara. Ajo që e duam në këtë proces, që shpresojmë që do të jetë inkluziv dhe besojmë që sa më parë të sillet, është që të gjitha kompanitë të marrin ndihmë të targetuar e cila për to është e patjetërsueshme.”,- u shpreh kryetarja e LOE-s, Daniella Arsovska.

Zaev: Së shpejti pako e re ndihme për bizneset

Qeveria u zotua se deri në fund të mandatit detyrimet parafiskale do të ulen deri në 70%, e së shpejti do të dalin me pako për ndihmë të kompanive të goditura nga kriza. 

“Qeveria është këtu të ndihmojë, shteti është stabil dhe do të jetë në shërbim të ekonomisë. Parashikimet e ekspertëve janë që kriza do të vazhdojë në 6 deri 8 muajt e ardhshëm dhe këtë periudhë duhet ta tejkalojmë të gjithë së bashku, sepse ashtu jemi më të fortë. Në katër vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të kemi politikë tatimore stabile për shkak të parashikueshmërisë.”,- theksoi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

Qeveria u zotua se do të luftojë edhe ekonominë e zezë dhe korrupsionin. Zaev gjithashtu gjatë takimit theksoi se numri i të papunëve për shkak të krizës me virusin Korona ka arritur në 30 mijë, e jo në 140 mijë, siç ka pasur disa informacione. Por, me masat e reja pret që ky numër të mos rritet dhe të ketë zbutje të papunësisë. (Ersan Pajaziti, TVM2)