Rasti "Target-Fortesa", dëgjohen dëshmitarët, në pritje 300 të dëmtuar
Procesi gjyqësor për aferën e përgjimeve, i njohur si "Target dhe Fortesa"....

Procesi gjyqësor për aferën e përgjimeve, i njohur si "Target dhe Fortesa", vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve.
Në seancë dëshmoi i punësuari në kompaninë “Erikson”, menaxher i përkrahjes teknike për kompaninë “Telekomi i Maqedonisë”.
Ai theksoi se kjo kompani posedonte pajisje të cilat mund të mundësonin ndjekje të komunikimeve.
"Prej atje mund të mundësohet ndjekje e komunikimit. Ishin në pronësi të “Telekomit të Maqedonisë”, ishin të locuara diku në MPB, nuk e di saktë se ku."- deklaroi dëshmitari.
Ai sqaroi se “Telekomi” posedonte dy pajisje të tilla, njëra shërbente për telefonat mobil dhe tjetra për telefonat fiks. Për shkak të lidhjes familjare me njërin nga të akuzuarit, një nga dëshmitarët, një inxhinier i punësuar në një kompani kompjuterike, e shfrytëzoi të drejtën të mos japë dëshmi.
Sipas prokurorëve, Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov, në pritje për të dëshmuar janë diku rreth 300 persona të dëmtuar nga përgjimet.
Të akuzuar kryesorë në këtë proces janë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski - që janë në arrati, dhe të punësuar të tjerë në DSK.
Ata akuzohen se gjatë viteve 2008-2015, në mënyrë ilegale, kanë përgjuar mbi 4 mijë numra telefonik. Procesi gjyqësor për këtë rast ka filluar më 22 dhjetor të vitit 2017 dhe akoma është në fazën e dëshmive. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
