Më 9 shtator hapen çerdhet, prindërit kthehen në punë, s’ka regjistrime të reja

02.09.2020 17:15

Qeveria solli vendim që më 9 shtator të hapen çerdhet për fëmijë....

Qeveria solli vendim që më 9 shtator të hapen çerdhet për fëmijë dhe deri atëherë hapësirat duhet të përgatiten për punë sipas protokolleve të rrepta mbrojtëse. Prindërit që shfrytëzuan masat e qeverisë gjatë këtyre muajve do të kthehen në punë. Por, ende nuk ka ndonjë njoftim  me zgjatjen e pushimit të lehonisë dhe regjistrimet e reja, sepse aktualisht asnjë kopsht nuk mund të regjistrojë fëmijë të rinj.

Drejtorët e çerdheve pritet që deri të premten të takohen me ministren e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpanska, që të informohen me protokollet se si do të fillojë të funksionojnë çerdhet. Teksa pritet qartësimi i situatës për kopshtet, duket se më të qarta janë punët për funksionimin e shkollave.

Mësimi online, Carovska: Vlerësimi i nxënësve me prezencë fizike

Ministrja e arsimit, Mila Carovska, sqaroi se aty ku nuk ka kushte për prani fizike, mësimi do të realizohet online, por vlerësimi i nxënësve do të jetë me prezencë fizike.

“Përgatiten rregulla të reja për vlerësim. E rëndësishme është që mësimi online duhet ta japë maksimumin. Vitin e kaluar notimi nuk ishte rregulluar. Tani themi se vlerësimi duhet të jetë me prani fizike dhe duhet të organizohet në grupe, dhe natyrisht, nëse kushtet epidemiologjike në komuna lejojnë një gjë të tillë.”,- u shpreh ministrja e arsimit dhe shkencës, Mila Carovska.

Sipas protokolleve parashihet që aty ku mësimi do të mbahet me prani fizike, ai të zhvillohet prej orës 7 deri në orën 20, në varësi të grupeve. 

Maska është e detyrueshme njësoj si edhe distanca prej të paktën 1.5 metrash, në klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës,  nxënësit do të dezinfektojnë duart dhe këpucët dhe do t’u matet temperatura e tyre. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)