Botë

BE dënon helmimin e “turpshëm” të Navalnyt

03.09.2020 09:59

Pasi Gjermania ka njoftuar se ekspertët e armëve kimike kanë ardhur në përfundim se Navalny...

Pasi Gjermania ka njoftuar se ekspertët e armëve kimike kanë ardhur në përfundim se Navalny është helmuar me agjent nervor, Noviçok, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar të mërkurën atë që e ka cilësuar helmim “të turpshëm dhe frikacak” të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.
 
Ajo ka thënë se ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. 
 
Edhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, ka thënë se blloku ka dënuar helmimet “në shkallën më të fuqishme”.
 
AI I ka bërë thirrje që Moska të hetojë incidentin “në mënyrë të thuktë dhe transparente”.
 
“Rasti i Aleksei Navalnyt nuk duhet të mbetet i pazgjidhur. Ata që janë përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shtuar mes tjerash ai.
 
Navalny, politikan dhe hulumtues i korrupsionit, një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurë më 20 gusht gjatë një udhëtimi me aeroplan, derisa udhëtonte nga Siberia në Moskë.
 
Ekipi i Navalnyt dyshon se ai është helmuar përmes një çaji që ka pirë në aeroport, përpara se të nisej drejt Moskës.
 
Helmi që thuhet se u përdor kundër tij , është pjesë e një grupi të agjentësh të avancuar, që është zhvilluar nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitet 1970, 1980.
 
Agjentët noviçokë janë krijuar për të qenë më toksikë sesa armët kimike, ndaj disa versione të tyre kanë efekt të menjëhershëm, nga 30 deri në dy minuta.