Maqedoni
Prishja e ndërtimit te “Mavrovasja”, Shilegov: Vetëm hapësira në podrum e legalizuar
03.09.2020 15:16
Vazhdoi prishja e objektit para qendrës tregtare “Mavrovasja”, për të cilin pronari thotë se ka leje rindërtimi..

Vazhdoi prishja e objektit para qendrës tregtare “Mavrovasja”, për të cilin pronari thotë se ka leje rindërtimi e autoritetet këmbëngulin për të kundërtën. Kreu i Shkupit, Shilegov, sqaron se çështja nuk ka të bëjë me shërbime komunale, por me tarifa legalizimi. Këmbëngul se Aliti nuk ka asnjë leje për ndërtimin që ka filluar, e dokument pronësie e legalizimi ka vetëm për një hapësirë në podrum.
“Ishte një ndërtim i legalizuar poshtë në bodrum. Vetëm ai ishte subjekt i legalizimit. Ju nuk mund ta barazoni legalizimin e bodrumit që u krye nga komuna e Çairit me këtë ndërtesë ose këtë shëmti që mbiu në vend të tij. Le të mos luajmë me pretendimet se çfarë ishte subjekti i legalizimit për të cilin pronari pagoi dëmshpërblimin dhe për të cilin komuna e Çairit përcaktoi se ekzistojnë kushte që mund të prishet. Kjo është tallje me sensin logjik të secilit prej nesh, së pari si qytetarë dhe pastaj edhe si njerëz që drejtojnë institucionet.”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Ndërtimet pa leje, Boçvarski: Komunat duhet të zbatojnë ligjin
Ministri i transportit, Bllagoj Bocvarski, inkurajon komunat të zbatojnë ligjet e të ndërmarrin të gjitha aktivitetet dhe përgjegjësitë për zgjidhjen e problemit me ndërtimet pa leje.
“U apeloj vetëqeverisjes lokale dhe kryetarëve të komunave që të zbatojnë të gjitha procedurat për përzgjedhjen e kompanive që do të kryejnë rrënimin e ndërtimeve pa leje, gjithsesi pas përfundimit të procedurave dhe pasi inspektorati të sjellë vendim për rrënimin e objekteve të paligjshme. Në raste të tilla janë komunat ato që duhet të marrin përgjegjësitë që i kanë dhe t’i zgjidhin këto probleme, sepse këto janë çështje që i tangojnë vetëqeverisjes lokale.”,- theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Bocvarski.
Kreu i Shkupit pranon se objekti te “Mavrovasja” nuk është ndërtimi i vetëm pa leje në kryeqendër, por thotë se për fat të keq Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca ligjore për të vepruar. Ai njoftoi se ka kërkuar ndryshime ligjore për të ekuilibruar lejet e ndërtimit që lëshojnë komunat dhe mbikëqyrjen që duhet të kryhet tërësisht nga qyteti. Sipas tij, vetëm kështu do të parandalohen dobësitë që vërehen në nivel komunal.
SEDAT SELIMI
