Maqedoni

Hapja e çerdheve nga 9 shtatori, gati protokollet mbrojtëse për fëmijët

03.09.2020 15:45

Teksa drejtuesit e çerdheve të kontaktuara deri dje nga TVM2 nuk pranonin të deklaroheshin...

Teksa drejtuesit e çerdheve të kontaktuara deri dje nga TVM2 nuk pranonin të deklaroheshin para kamerës sonë, pasi ende nuk i kishin të qarta protokollet, tanimë edhe për ta edhe për prindërit gjërat u sqaruan. Qeveria i ka gati protokollet për punën e çerdheve nga 9 shtatori. Të gjitha institucionet kanë kapacitet dhe i pranojnë 19 mijë fëmijë, ndërsa deri më tani interesim për përkujdesje kanë treguar prindërit e 14.555 fëmijëve.
 
Grupet do të organizohen më ndryshe nga deri tani. Tek fëmijët deri në 2 vjeç jo më shumë se 6 fëmijë në grup, derisa tek më të rriturit, maksimalisht 15 fëmijë. Nëse në një kopsht është plotësuar kapaciteti, fëmija mund të përkujdeset në një kopsht tjetër ku ka vend të lirë, por vetëm në kuadër të komunës së njëjtë.
 
“Prioritet për të qëndruar në kopsht do të kenë fëmijët e prindërve kryefamiljarë ose të dy prindërve të cilët janë të punësuar dhe do të sjellin vërtetim nga punëdhënësi se punën nuk mund ta kryejnë në shtëpi. Në pajtim me protokollet për punë kopshtet kanë kapacitet t’i pranojnë 19 mijë fëmijë, por interes për përkujdes kanë treguar prindërit e 14.555 fëmijëve.”,- tha ministrja për punë dhe politikë sociale, Jagoda Shahpaska.
 
Hapësirat dhe oborret e çerdheve do të dezinfektohen rregullisht, çdo i punësuar do të ketë pajisje mbrojtëse personale dhe termometër me të cilin çdo fëmije gjatë hyrjes në objekt do t’i matet temperatura. 
 
“Nuk lejohet grumbullimi dhe kontaktet e të punësuarve në hapësira të përbashkëta. Të punësuarit e kanë për obligim ta përcjellin shëndetin e tyre dhe shëndetin e fëmijëve gjatë pranimit dhe gjatë kohës që qëndrojnë në çerdhe.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Qeveria u ka rekomanduar komunave të sigurojnë edhe kuadër përkatës për periudhën e pandemisë nëse kopshti ka nevojë, me qëllim që të sigurohet funksionim i papenguar.
 
REJHANE BUSHI METAJ