Maqedoni
Ministrat morën letrat e mandatit, Zaev: Arsyetoni besimin e qytetarëve
03.09.2020 16:49
Kryeministri, Zoran Zaev, u ndau zëvendëskryeministrave dhe ministrave letrat e mandatit dhe i porositi...

Kryeministri, Zoran Zaev, u ndau zëvendëskryeministrave dhe ministrave letrat e mandatit dhe i porositi që me punën e tyre të arsyetojnë besimin e shumicës së qytetarëve të deklaruar me votë.
Bashkë me letrat e mandatit u ndau edhe programin qeveritar dhe i ftoi në bashkëpunim. Kërkoi që të jenë shembull i mirë dhe të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e administratës për të realizuar programin qeveritar në tërësi.
“Bashkëpunoni me të gjithë të punësuarit dhe shfrytëzoni të gjitha potencialet në administratën publike. Në të gjithë veprimtarinë tuaj, jini shembull për ata me të cilët punoni dhe për qytetarët për të cilët punoni. Përmbahuni kodeksit për sjellje etike të anëtarëve të Qeverisë dhe bartësve të funksioneve publike të emëruar nga Qeveria dhe përhapni vlerat etike. Bëni përpjekje maksimale që në fund të mandatit tonë në vitin 2024, si rezultat i ndryshimeve pozitive që do të bëjmë Maqedonia e Veriut të jetë vend ku qytetarët duan të jetojnë dhe të kontribuojnë këtu për përparimin e saj.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Menjëherë pas aktit ceremonial të mandateve, Qeveria miratoi Rregulloren për punë ku para së gjithash rregullohen pozita e zëvendëskryeministrit të parë me detyrimet dhe përgjegjësitë e tij.
Me propozim të ministrave, në rend dite për shqyrtim u vunë edhe Procesverbali i Komitetit Menaxhues për vazhdimin e gjendjes së krizës, emergjenca për pagesën e rrogave në kulturë, propozim/ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Arsim Fillor dhe atë për Arsim të Mesëm si dhe plotësimin e Informatës për rihapjen e çerdheve dhe kopshteve për përkujdesjen e fëmijëve.
SHPËTIM NUREDINI
