Botë
Hoti: Me Serbinë, flasim vetëm për njohje reciproke. Grenell: Ta lëmë anash politikën, ekonomia ka rëndësi
03.09.2020 17:48
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë...

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, tha se përveç njohjes reciproke, asnjë temë tjetër nuk mund të bisedohet më Serbinë.
“Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke dhe unë besoj se marrëveshja e sotshme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve mes të dy vendeve, që është vetëm njihja reciproke.”,- tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti megjithatë tha se marrëveshja ekonomike që mund të arrihet gjatë këtij takimi është një hap i madh drejt arritjes së njohjes mes dy vendeve.
“Fillojmë me shumë pozitivitet, takimin në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me delegacionin për të diskutuar për projekte të zhvillimit ekonomik mes të dy vendeve, pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive.”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Richard Grenell, emisari special i presidentit amerikan, Donald Trump, në një postim në Twiter shkroi se qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë normalizim ekonomik.
“Jam i fokusuar tek njerëzit e rinj që duan karrierë, një punë të mirë dhe lidhje me perëndimin. Ju kam dëgjuar dhe do ta shtyj përpara këtë agjendë. Le ta lëmë politikën anash.”,- ka shkruar Grenell në Twiter.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë në fokus janë temat ekonomike, megjithëse nuk është përjashtuar edhe diskutimi për tema politike.
GYLTENE SINANI
