Ekonomi

Kriza ekonomike nga Covid-19, ministri Bekteshi takoi përfaqësuesit e OEMVP-së

03.09.2020 18:25

Rënia prej 13.9% e të hyrave buxhetore dhe 17.1 e të ardhurave tatimore, të cilat i ka publikuar Ministria e Financave...

Rënia prej 13.9% e të hyrave buxhetore dhe 17.1 e të ardhurave tatimore, të cilat i ka publikuar Ministria e Financave, sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk është skenari më i keq të cilin e ka pritur qeveria.
 
Ai gjatë vizitës së OEMVP-së tha se për momentin situata financiare dhe ekonomike e vendit është e menaxhueshme, ndërsa shpreson në rikuperim të mëtejshëm të ekonomisë me pakon e katërt të masave. 
 
“Jemi në një situatë e cila është e menaxhueshme, por njëkohësisht kemi mundësi shtesë që të krijojmë masa dhe programe për ndihmë financiare të sektorit të biznesit, pikërisht edhe një nga arsyet e sotshme të vizitës këtu në OEMVP është edhe kjo, ku së bashku, duke marrë parasysh se ato janë bizneset dhe i dinë hallet dhe çfarë kanë kaluar gjatë kësaj periudhe, të krijojmë masa të cilat drejtpërdrejt do të targetojnë sektore të veçanta”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Përveç masave, ministri Bekteshi ka njoftuar Odën se në kabinetin e tij do të emërojë një këshilltar special i cili do të jetë propozim i Odës. Roli i tij do të jetë mbrojtja e interesave të afaristëve karshi politikave qeverisëse. 
 
“Do të jetë një urë lidhëse në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për të prezantuar dhe për të transmetuar të gjitha kërkesat e bizneseve kundrejt kësaj ministrie dhe qeverisë në përgjithësi dhe anasjelltas, të gjitha vendimmarrjet apo krijimin e politikave nga Ministria të transmetohen në organet e Odës Ekonomike në formë preventive, që ne të japin sugjerimet e tona përpara se të publikohen apo përpara se të hyjnë në fuqi.”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Nga Oda thonë se ata kanë hartuar prioritetet e tyre të cilat shpresojnë që do të merren parasysh nga ekipi ekonomik i qeverisë. 
 
ERSAN PAJAZITI