Maqedoni
Festat jashtë kontrollit nëpër klube, mbyllet kafeneja në Shkup, “Avatar” ende punon
04.09.2020 12:01
Kafeneja e cila më 1 shtator organizoi një festë për të rinj, jashtë çdo mase mbrojtëse...

Kafeneja e cila më 1 shtator organizoi një festë për të rinj, jashtë çdo mase mbrojtëse, u mbyll nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Inspektorët vulosën derën e kafenesë, e cila tashmë ka një ndalesë 30 ditore për punë. Pronari i lokalit në lagjen Aerodrom të Shkupit, ku u organizua festa pa maska dhe distancë, mori edhe një akuzë për kundërvajtje, e tani varet nga gjykata se sa do të jetë lartësia e gjobës që do t’i shqiptohet.
Por lokali në Shkup nuk është i vetmi që ka shkelur protokollet gjatë kohës së pandemisë, duke organizuar festa ku të rinjtë mblidhen pa asnjë kontroll. Megjithatë mesa duket, ai është i vetmi që nuk di si të luajë me ligjin.
Skandal më vete është rasti i klubit të natës “Avatar” në Strumicë, i cili u mbyll në qershor për një muaj, pasi u vërtetuan shkeljet e të gjitha protokolleve mbrojtëse.
Por pronari i klubit, e ktheu licencën e punës nga ajo për klub nate, në leje për kafene, e vazhdoi me organizimin e festave edhe fundjavën e kaluar, sigurisht edhe këtë herë pa respektuar protokollet.
Pas ndërhyrjes, policia përsëri ngriti procedurë kundër tij, por as kjo nuk e pengoi kafenenë “Avatar, të organizojë një tjetër festë edhe për këtë fundjavë, për të cilën biletat po shiten haptazi.
Inspektorati thotë se klubit mund t’i ndalohet sërish puna edhe për një muaj, por ligji për punën e klubeve të natës dhe ai për punën e kafeneve, parashohin të tjera procedura për mbylljen e objektit.
Inspektorati e ka të qartë që bileta po shiten, por nuk ka ingerenca për të ndërhyrë në këtë moment. Presin që njëherë të shohin se si do organizohen festat, e pastaj të ndërhyjnë për të vendosur sanksione.
MIGRENA GORENCA
