Maqedoni

Harxhime joligjore rrugore, ngrihet akuzë për ish deputeten nga Strumica

04.09.2020 16:31

Një ish deputete nga Strumica është e akuzuar për veprën e vazhduar penale “mashtrim në shërbim”...

Një ish deputete nga Strumica është e akuzuar për veprën e vazhduar penale “mashtrim në shërbim”, rast në kuadër të lëndës “Drumarina” , të udhëhequr nga ish Prokuroria Speciale. Ajo ngarkohet se prej vitit 2011 deri në 2015, tek shërbimet e Kuvendit ka dorëzuar 904 fatura të rreme fiskale nga pikë-pagesat, në periudhën kur realisht ka qenë e pranishme në seancat kuvendore. 
 
Në bazë të faturave, Kuvendi e ka kompensuar me 6.458.551 denarë për harxhime rrugore. Nga fillimi i vitit 2011, ajo ka pasur banesë në Shkup dhe nuk ka qenë e nevojshme të udhëtonte çdo ditë nga Strumica e anasjelltas. Faturat e rreme fiskale janë siguruar nga persona tjerë të cilët kanë udhëtuar. 
 
“Prokuroria Themelore Publike - Shkup ka parashtruar Aktakuzë kundër një personi për veprën e vazhduar penale “mashtrim në shërbimin” nga neni 355, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 45 paragrafi 3 nga Kodi Penal. Bëhet fjalë për lëndën në opinion të njohur si “Drumarina”, për të cilën procedurën hetuese e ka udhëhequr Prokuroria Publike për Ndjekjen e Veprave Penale lidhur dhe të cilat dalin nga përmbajtjet e ndjekjes joligjore të komunikimeve”,- kumtoi Prokuroria Publike.