Maqedoni
Seancat “Online” në Kuvend, ASh: Përpjekje për të pasur kuorum, nuk e mbështesim
04.09.2020 17:13
ASh akuzon qeverinë se po përpiqet të blejë deputetë për të përforcuar shumicën e brishtë parlamentare....

ASh akuzon qeverinë se po përpiqet të blejë deputetë për të përforcuar shumicën e brishtë parlamentare. Thonë se nëse vazhdojnë ofertat e tilla, do t’i dokumentojnë me xhirime e do t’i paraqesin në prokurori. Nuk do të përkrahin ndërkohë as idenë për mbajtjen e seancave dhe votimin “Online”, që sipas tyre ka si qëllim t’u japë mundësi për të votuar edhe deputetëve që asnjëherë nuk kanë qenë të rregullt në kuvend, e që me mospjesëmarrje mund të rrezikojnë kuorumin.
“E shikoni që ka mospajtueshmëri mes partive e brenda partive. Kanë probleme të zgjedhin kush do jetë zëvendësministër edhe me drejtoritë, e ju garantoj se do të kenë telashe serioze e tani mundohen që për të siguruar shumicë të sigurt, edhe ata deputetë që nuk shkojnë tradicionalisht në kuvend të mund të votojnë nga shtëpia. Ne nuk e përkrahim këtë. Mundohen të blejnë edhe deputetë që nuk është në rregull e nuk është demokratike. Shpresoj se nuk ka disponim për t’u shitur as në ASh e askund tjetër, por presionet bëhen e i paralajmëroj se nëse vazhdojnë do t’i incizojmë e do i paraqesim në prokurori.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i ASH-SË, Arben Taravari.
