Maqedoni
VMRO-DPMNE: Seancat online në kundërshtim me kushtetutën. Seancat online në Kuvend, ASh: Përpjeke për të pasur kuorum, nuk e mbështesim
04.09.2020 17:32
Kuvendi akoma nuk ka themeluar komisionet kuvendore që të mund të punojë me kapacitet të plotë...

Nga kabineti i kryetarit, Talat Xhaferi, njoftojnë se partitë politike akoma nuk kanë dorëzuar propozime për të ftuar seancë për themelimin e komisioneve.
Deri më tani është formuar vetëm Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Në takimin me ambasadoren e Suedisë, Xhaferi ka njoftuar se për shkak të pandemisë po mendohet edhe funksionimi i kuvendit nga distanca.
Por, VMRO-DPMNE është shprehur kundër kësaj ideje, duke konsideruar në kundërshtim me kushtetutën.
“Zbatimi i seancave online në Kuvend? Jemi të gjithë të vetëdijshëm, për shkak të pandemisë globale duhet që t’i ndërmarrim të gjitha masat për mbrojtje, me çka do të mundësohej kuvend funksional, por në të njëjtën kohë nuk duhet të shkohet me vendime të shpejta dhe të pamenduara mirë, vendime të cilat do të ishin në kundërshtim me kushtetutën.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, edhe ASh nuk do ta përkrahë idenë për mbajtjen e seancave dhe votimin online, që sipas tyre ka si qëllim t’u japë mundësi për të votuar edhe deputetëve që asnjëherë nuk kanë qenë të rregullt në kuvend, e që me mospjesëmarrje mund të rrezikojnë kuorumin.
“E shikoni që ka mospajtueshmëri mes partive e brenda partive. Kanë probleme të zgjedhin kush do jetë zëvendësministër edhe me drejtoritë, e ju garantoj se do të kenë telashe serioze e tani mundohen që për të siguruar shumicë të sigurt, edhe ata deputetë që nuk shkojnë tradicionalisht në kuvend të mund të votojnë nga shtëpia. Ne nuk e përkrahim këtë.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i ASh-së, Arben Taravari.
Por, nga LSDM përkrahin këtë ide, duke e cilësuar si të nevojshme, sidomos nëse vjen deri te prekja e ndonjë nga deputetët me Covid-19.
Për ta zbatuar këtë do të duhej që të ndryshojë rregullorja e punës së kuvendit, thotë Jovan Mitrevski në një brifing me gazetarë, për të cilën nevojitet konsensus midis partive politike.
NAIM RAMADANI
