Botë
Takimet e presidentit me partitë, Meta takon krerët e partive. Diskutohet data e zgjedhjeve në Shqipëri
04.09.2020 19:26
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nisi këtë të premte takimet me krerët e partive politike...

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nisi këtë të premte takimet me krerët e partive politike, për të caktuar datën e zgjedhjeve parlamentare.
Teksa foli për një proces që duhet të marrë konsensusin e të gjitha forcave politike, kreu i shtetit priti në zyrë edhe kryeministrin Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste.
Mësohet se kryeministri Rama ka qenë dakord për çdo datë brenda periudhës 15 prill-15 maj për mbajtjen e zgjedhjeve, ku si opsion më i pëlqyeshëm është 9 maji.
Pas takimit me presidentin, kryetari demokrat, Lulzim Basha, foli për nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve sa më shpejt, por pa dhënë një datë konkrete. Megjithatë, Basha nënvizoi se më e rëndësishme se data është vetë procesi.
“Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë, boll me mashtrimet dhe propagandën. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje dhe zgjidhje sot, jo nesër. Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm.”,- u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Më herët në presidencë ishin edhe kryetarët e partive të vogla opozitare, të cilat kërkuan si datën më të shpejtë që lejon kushtetuta, 18 prillin.
LULJETA NDOKA
