Botë
Marrëveshja Kosovë-Serbi, Trump: Ditë historike në një pjesë të bukur të botës
04.09.2020 19:40
Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili është bërë dorëzan i ujdive të nënshkruara nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Marrëveshja e arritur është e karakterit ekonomik dhe nuk përfshin pikën e shumëpërfolur të njohjes reciproke. Presidenti Trump, e ka cilësuar marrëveshjen si pakt historik dhe që do të sjellë zhvillim ekonomik për të dy vendet.“Është vërtetë historike”, tha Trump, teksa qëndronte përkrah dy udhëheqësve ballkanas te Zyra Ovale.
"Kjo është me të vërtetë një ditë historike, ditë shumë e rëndësishme veçanërisht në një pjesë të bukur të botës. Jam shumë i kënaqur ta bëj të ditur një zotim me të vërtetë historik – Serbia dhe Kosova janë zotuar për normalizim të marrëdhënieve ekonomike që është një çështje shumë e rëndësishme për të cilën kam punuar. Për shumë vite, në fakt dekada, pas dhunës dhe historisë tragjike, si dhe disa viteve negociata të dështuara, administrata ime ka propozuar një mënyrë të re për të tejkaluar dallimet. Duke u fokusuar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike të dyja vendet e kanë arritur një përparim të madh, diçka që askush s’e ka menduar se mund të jetë e mundshme. Mendoj se do të funksionojë shumë mirë dhe do të punojmë bashkë me ta për bashkëpunimin ekonomik", u shpreh presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova bëri edhe një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Por, për marrëveshjen finale bisedimet do të vazhdojnë në Bruksel.
"Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. Ne jemi të nderuar të bashkëpunojmë. Bëmë edhe një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve.Ne kemi të njëjtat vlera, demokracinë. Ne jemi për nisjen sa më të shpejtë të implementimit të kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje e sotme është një hap i madh drejt njohjes reciproke. Kjo nënkupton një arritje të madhe drejt finalizimit të marrëveshjes me Serbinë. Bisedimet do të vazhdojnë për të diskutuar për arritjen finale”, theksoi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka ende shumë dallime ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes ekonomike dhe ka falënderuar presidentin Trumpin për angazhimin e tij.
“Zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale për qytetarët, projektet infrastrukturore me kapital të madh, linjat ajrore, hekurudhore e autostradat, kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës, njësoj sikur edhe nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të gjithë të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre. Këto angazhime kanë pasur ndikime pozitive në tërë Ballkanin Perëndimor” , tha Thaci.
Richard Grenell, ndërmjetësues i presidentit të Shteteve të Bashkuara tha kjo marrëveshje zhvendos vëmendjen nga çështjet politike në të cilën palët kishin ngecur për dekada.
“Të gjithë e dimë që ne ishim të ngecur politikisht për dekada duke luftuar për çështje simbolike. Atë çka presidenti Trump ka bërë është se të zbulojmë se si të bëjmë ekonomi. Ju nuk mund të bleni ushqim me çështje simbolike, por ju mund të keni një vend të punës. Mund të themi se kemi dashur që ti japim pak shije të ekonomisë Trump për të zhvilluar industritë dhe t’i rrisim ato. Të shohim nëse fokusimi në ekonomi dhe krijimin e vendeve të lira të punës mund të na zhvendos nga çështjet politike”, u shpreh ndërmjetësues i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell.
Pika e fundit e marrëveshjes Kosovë-Serbi që u nënshkrua në Uashington ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit. Në marrëveshje thuhet se të dyja vendet duhet t’i bashkohen mini-Shengenit, ndërsa po ashtu thuhet se Kosova është pajtuar që për një vit të shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Serbia do të bierë dakord për një moratorium një vjeçar ku të tërhiqet nga procesi i mosnjohjes së Kosovës dhe gjithashtu të ndalojë këtë fushatë ç’njohje dhe me shtetet e tjera, duke u kërkuar atyre tërheqjen e njohjes për Kosovën.
