Maqedoni
Zaev: Vendimi për zëvendësministrat, deri në fundjavë. Mickovski: Zëvendësministrat, të panevojshëm
07.09.2020 17:24
Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëron se deri në fund të javës partnerët e koalicionit do të arrijnë marrëveshje për zëvendësministrat...

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëron se deri në fund të javës partnerët e koalicionit do të arrijnë marrëveshje për zëvendësministrat, por edhe për kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve kuvendore.
Kryeministri thotë se në këtë drejtim nuk ka problem, por vetëm po zhvillohet debat për të gjetur kuadro sa më cilësore, por shprehu keqardhja se shumë kuadro cilësorë nuk pranojnë funksione, sepse kanë paga më të larta në sektorin privat.
“Besoj se deri në fund të javës do t’i përfundojmë të gjitha konsultimet dhe bisedimet me kandidatët potencialë për zëvendësministra që të mundem si mandatar, tashmë si kryeministër, t’i dorëzojë deri në Kuvend për vendimmarrje. Ky është një proces ku zhvillohen bisedime me partnerët, dëshirojmë të zgjedhim atë më cilësore nga atë që e kemi si ofertë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri nuk sheh problem as për komisionet kuvendore.
“Debati i parë midis pushtetit dhe opozitës për shpërndarje është e qartë se dihet sa vende kanë si për njërin ashtu edhe për tjetrin. Për momentin në koalicionin qeveritar shohim si me më përgjegjësi të vendosen kuadrot nga Parlamenti për efekte maksimale dhe efikasitet në punën.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Opozitarja VMRO-DPMNE e vlerëson të panevojshëm postin e zëvendësministrave.
“Këtë temë ne e komentuam edhe në fushatë dhe bartësja e listës në njësinë e parë profesoresha, Gordana Siljanovska, se zëvendësministrat në Qeverinë tonë janë luks.”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Edhe presidenti, Stevo Pendarovski, ditë më parë ka deklaruar se funksioni i zëvendësministrit në shumë vende nuk ekziston.
Por, deri tani nuk është paralajmëruar nismë konkrete për shfuqizim të funksionit të zëvendësministrit, prandaj mbetet që gjatë javës partitë e koalicionit të merren vesh për këto poste.
ZEKIRIJA MEXHITI
