Maqedonia e Veriut feston sot 29-vjet pavarësi
Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 29-vjetorin e pavarësisë nga ish-Federata jugosllave....

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 29-vjetorin e pavarësisë nga ish-Federata jugosllave. Referendumi popullor, e shpalli shtetin të pavarur dhe Sovran, megjithatë ai u bojkotua në tërësi nga shqiptarët, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re. Mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti e miratoi më 25 janar 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator 1991.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi edhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina… Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas krijoi edhe Armatën e vet. Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të e OKB-së. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Deri tani vendi ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja. Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë u arrit më 17 qershor 2018, dhe vendi ka tashmë emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut. kjo hapi rrugën që vendi ynë sivjet të bëhet anëtarja e tridhjetë e Aleancës Veri-Atlantike.
