Maqedoni
29 vjet pavarësi, qytetarët: Përfituan oligarkët, shteti ngec
08.09.2020 15:41
Vendi po feston 29 vjetorin e pavarësisë, por si e ndjejnë këtë ditë pas gati 30 vjetësh qytetarët?

Vendi po feston 29 vjetorin e pavarësisë, por si e ndjejnë këtë ditë pas gati 30 vjetësh qytetarët? Të anketuar nga TVM2, shumica janë të mendimit se vendi nuk ka arritur përparimin e pritshëm. Përderisa prisnin që me një shtet të pavarur dhe demokratik vendi të shënojë progres, shteti ka ngelur në vend, madje në shumë sfera shënon edhe regres. Përfitim më të madh kanë pasur oligarkët, kurse dëm më të madh shtresa e varfër e qytetarëve, thonë të anketuarit.
“Derisa rinia shpërngulet, nuk shoh mirë. Vazhdon të jetë shteti ende i luhatur, nuk ka barazi, nuk ka siguri, garanci për rininë. Ekonomia është e dobët, katastrofë, korrupsioni është i madh.”,- theksoi një qytetar.
“Populli ndjehet pak më i lirë. Ka më shumë opsione, jeta është pak më e mirë. Kuptohet, ndoshta ende nuk e kemi arritur kulminacionin, mirëpo mirë është nuk është keq.”,- u shpreh një qytetar.
“Përpara si kemi menduar që me demokracinë e privatizimin mund të jetë diçka më mirë, mirëpo ata të fortit kanë dominuar dhe do të dominojnë çdo herë. Mjerë ata që nuk kanë.”,- theksoi një qytetar.
“Asgjë nuk kemi përfituar. Ashtu mendoj se nuk ka asgjë nga ky shtet ku ekonomia është katastrofë.”,- tha një qytetar.
Të drejtat e shqiptarëve në RMV, qytetarët: Ka përparim, duhet më shumë punë
Sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, qytetarët shqiptarë vlerësojnë se janë bërë përparime të dukshme, por ende ka shumë punë për tu bërë. Sipas tyre avancimi i pozitës së shqiptarëve në shtet duhet të jetë reciprok me avancimin ekonomik.
“Në aspektin e barazive, lëvizjeve të çështjeve të nacionaliteteve në Maqedoni, këtu ka lëviz pak. Tash ne si shqiptarë jemi avancuar më shumë në pushtet, por ende si shtet nuk kemi lëvizur.”,- tha një qytetar.
“Ndoshta diçka është plotësuar, mirëpo ndoshta me kalimin e kohës do të bëhet më mirë. Si kemi qenë përpara si jemi tash, tash jemi pak më mirë normal.”,- u shpreh një qytetar.
Qytetarët shpresojnë që vendi të arrij përparimin e duhur në periudhën e ardhshme. Lufta me korrupsionin, zhvillimi ekonomik, departizimi i shoqërisë, sipas tyre, mbeten disa nga shtyllat primare në të cilat duhet të fokusohet vendi. Ata shpresojnë që më në fund të plotësohet edhe ëndrra shumë-vjeçare e tyre - Maqedonia e Veriut shtet anëtar i BE-së.
ERSAN PAJAZITI
