Maqedoni

29 vjet pavarësia e RMV-së, Zaev: Bashkim për përballje me sfidat e reja. Kush nuk respekton ligjin do të përballet me ligjin

08.09.2020 16:58

Kryeministri, Zoran Zaev, në ditën e pavarësisë, përmendi angazhimin vetëmohues të brezave të tërë...

Edhe pse shqiptarët bojkotuan referendumin dhe nënshkrimin e kushtetutës së Maqedonisë së pavarur, Zaev falënderoi edhe shqiptarët që, sipas tij, qëndruan krah për krah me bashkëqytetarët  maqedonas, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë, e u bashkuan në krijimin e një shtëpie të përbashkët. 
 
“Që në fillim qytetarët padyshim e theksuan rrugën për të cilën duhet të lëvizë shtetësia e vendit. Kjo është rruga evropiane pas vlerave demokratike. Kjo nënkupton inkluzivitet dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve në proceset politike, por edhe integrim në institucionet dhe nismat ndërkombëtare.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe sfidat aktuale kanë nevojë për këtë bashkim, tha Zaev, i cili i bëri thirrje opozitës që t’i lërë interesat e ngushta partiake dhe të tregojë sjellje shtetërore.
 
Paralajmëroi një shtet civil, atdhe i lirë i të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive etnike, një shoqëri për të gjithë me një të ardhme evropiane. Më e rëndësishmja, paralajmëroi luftë për drejtësi.
 
“Qeveria e re po hyn në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet. Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatimin e tyre të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Kush nuk dëshiron të respektojë ligjin, do të përballet me ligjin, dhe ne si Qeveri do të jemi partner në të gjitha palët e interesit në legjislaturë, pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe në shoqërisë civile, media dhe grupe të interesit që duan të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
E nxjerrim shtetin në rrugë të drejtë dhe tani fillon periudha e evropianizimit më intensiv i vendit”, tha kryeministri. Paralajmëroi edhe vazhdim të investimeve në projekte kapitale, infrastrukturore, të masave anti-krizë, avancim të kushteve për tërheqje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe stimulim i investimeve vendore.
 
Kremtimi qendror, i organizuar në pajtim me protokollet për Kovid, filloi me aktin e ndërrimit të flamujve para  Qeverisë. Delegacioni I lartë qeveritar vendosi lule në varrezat e ish presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski në varrezat në Butel. Lule vendosi edhe delegacioni kuvendor.
 
Tetë shtatori i vitit 1991 do të mbahet mend, tha Zaev, si një ditë kur u bashkuam. Republika e Maqedonisë së veriut e feston këtë 29 vjetor të pavarësisë, si anëtarja e 30 e plotfuqishme e Aleancës Atlantike të Veriut dhe një vend që është në rrugën e anëtarësimit në BE.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI