Maqedoni
Komisionet kuvendore, Mexhiti: Dilemë mes arsimit dhe çështjeve europiane. Zaev: Deri në fund të javës propozimet për zëvendësministrat
08.09.2020 17:28
Partitë i kanë ndarë komisionet kuvendore. VMRO-DPMNE dhe LSDM do të udhëheqin 8 komisione...

Partitë i kanë ndarë komisionet kuvendore. VMRO-DPMNE dhe LSDM do të udhëheqin 8 komisione, BDI 4 dhe opozita shqiptare do të udhëheq me dy komisione.
Deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, thotë se e vetmja dilemë për integristët është ajo nëse BDI do të udhëheqë Komisionin për Çështje Evropiane apo me atë të Arsimit.
“Sipas ndarjes, sipas koeficientit dhe sipas numrit të deputetëve, ndarja është se nga 8 komisione do të udhëhiqen nga dy grupe parlamentare VMRO-LSDM, ne do të udhëheqim me tre komisione, po ashtu do të udhëheqim edhe komitetin për badenter, d.m.th. 4, ndërsa opozita shqiptare do të udhëheq me dy komisione. Ne me Komisionin për Çështje Kushtetuese këtë do e udhëheq kryetari i parlamentit, z. Talata Xhaferi, do të udhëheqim me Komisionin e Shëndetësisë dhe Komisionin e Arsimit ose për çështje Evropiane, që ka mbet dilemë të zgjidhet këto ditë dhe ato duhet të kalojnë në seancën parlamentare.”,- tha deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti.
Kryeministri Zaev pret që deri në fund të shtatorit të emërohen i gjithë stafi menaxhues i institucioneve. Ai njoftoi se ka në plan që deri në fund të javës të dorëzojë në Kuvend propozimet për zëvendësministra.
“Unë dua të paraqes propozimet në Kuvend pas festës, më së voni deri në fund të javës, dhe pastaj Kuvendi do të vendosë kur të caktojë seancën. Ne tashmë së bashku me ministrat veç më kemi filluar të përcaktojmë sekretarët shtetërorë, sepse është një fushë specifike ku ka kushte të veçanta ligjore. Unë besoj se deri në fund të shtatorit do të vendosim ose rinovojmë me pozita menaxheriale të gjitha institucionet që janë drejtpërdrejt nën pushtetin ekzekutiv.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe nga LSDM edhe nga BDI kanë mohuar zërat se shumica parlamentare është vënë në pikëpyetje. Gabimisht deputeti i BDI-së Jahovski është shënuar si i pavarur, problem nuk ka as edhe tani që një deputet i BDI-së është konfirmuar pozitiv me Covid-19 dhe është në spital.
Thonë se shumica parlamentare ka mbështetjen për punët e nevojshme të më së paku 65 deputetëve. Në ditët në vazhdim, Kuvendi do të verifikojë edhe mandatin e deputetit që vjen në vend të ministres Shahpanska.
SANIJE DURAKU
