Covid-19, rreth 198 mijë raste të reja në botë
197,828 raste të reja janë regjistruar në mbarë globin....

197,828 raste të reja janë regjistruar në mbarë globin, me çka numri i përgjithshëm i infektimeve ka shkuar në mbi 27 milion. Numrin më të madh të rasteve vazhdon ta kenë SHBA-të me mbi 6 milion raste, të ndjekura nga India dhe Brazili ku janë regjistruar nga mbi 4 milion raste.
Në Evropë vendi më i goditur vazhdon të mbetet Rusia, me rreth 1 milion raste të infektimit.
Ndërkohë që Spanja është bërë i pari vend i Evropës perëndimore që regjistron më shumë se gjysmë milioni rastesh Kovidi, me një total prej 525,549 infektimesh ndërkohë që shqetësimet shtohen edhe për rritjen e rasteve në Francë dhe Britaninë e Madhe. Edhe rajoni vazhdon të mbetet i prekur nga virusi Sars CoV2.
Serbia është vendi me rastet më të larta të infektimit në rajon me gjithsej 31.941, e pasuar nga Bosnje dhe Hercegovina me 21.660, Bullgaria 17.146, Kroacia 12.081 dhe Greqia 11.663.
Ndërkohë Italia ka filluar të testojë vaksinën kundër covid19. Eksperimentimi njerëzor i vaksinës italiane anti-Covid tek gjashtë vullnetarët e parë ka filluar tashme në spitalin e Verona-s. Vullnetarët e paraqitur për vaksinë variojnë nga një student 18-vjeçar te një mjek 54-vjeçar, të gjithë nga Verona.
Nga ana tjetër OBSH ka paralajmëruar qeveritë që ofrojnë informacione me motive politike rreth pandemisë së virusit korona, se mund të ballafaqohen me reagime politike. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
