Maqedoni

U shua zjarri në ndërtesën e Sekretariatit për Çështje Evropiane

09.09.2020 10:29

U shua zjarri i cili sot në mëngjes ka kapluar ndërtesën e ish Bankës Komerciale në Shkup...

U shua zjarri i cili sot në mëngjes ka kapluar ndërtesën e ish Bankës Komerciale në Shkup, ku janë të vendosura disa institucione shtetërore, përfshirë edhe Inspektoratin Shtetëror të Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor dhe Sekretariatin për Çështje Evropiane.
 
Zjarri në zyrat e Inspektoratit të Ekologjisë është lokalizuar, ndërsa janë djegur rreth 6 hapësira të katit të parë, ndërsa kati i dytë i ndërtesës është djegur vetëm nga jashtë, tha Vlladimir Simonovski, komandant i zjarrfikësve në Shkup. Ai shtoi se njëra nga arsyet që ka shkaktuar zjarrin mund të jetë instalimi i vjetër elektrik, me çka pastaj materialet që kanë qenë në zyrë kanë marrë flakë. Simonovski shtoi se nuk kishte asnjë nga të punësuarit që kishte ardhur në punë, gjë që e vështirësoi edhe hyrjen në brendësi të objektit për ta lokalizuar zjarrin, sepse, siç tha, bëhet fjalë për objekt të ndërlikuar.
 
“Gjatë intervenimit kishim 9 automjete të zjarrfikësve dhe 24 zjarrfikës. Kishim pak vështirësi, sepse të punësuarit ende nuk kishin ardhur në punë dhe nuk e dinim renditjen e hapësirave në ndërtesë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje komplekse, sepse zjarri është në Inspektoratin e Mjedisit Jetësor. Bëhet fjalë për lokale të ish-Bankës komerciale, të ndara me pllaka gipsi dhe dyer qelqi. Brenda nuk punon asnjë hidrant. Kjo paraqiste problem për ne, nuk e dinim saktë se si të hynim derisa arritën nga Agjencia Informative Mediatike, të cilët na dhanë një skemë se si të hyjmë”,- deklaroi Simonovski. Zjarri është lokalizuar diku rreth orës 9, në ndërkohë ekipet e zjarrfikësve ende janë në terren.