Barazim i Maqedonisë kundër Çekisë

02.11.2014 17:01

Përfaqësuesja hendbollistike e Maqedonisë, shkëputi rezultat pozitiv në takimin e dytë kualifikues për Evropianin e vitit 2016, kundër Çekisë, në parket mysafir.....

Të përzgjedhurit e seleksionuesit Ivica Obrvan, pas një sfide të paqartë dhe me shumë kthesa, në fund, më së shumti fal portierit Borko Ristovski, barazuan duke luajtur 27-27, rezultat ky që mund të llogaritet si pozitiv, para vazhdimit të kualifikimeve. Maqedonia, e nisi ndeshjen shumë mirë, duke avancuar edhe me tre gola epërsi, por më pas, çekët dominuan totalisht, bile një kohë duke ardhur deri te avantazhi prej tetë golash, 19-11.

Por, më pas, Maqedonia, e udhëhequr nga kapiteni Kire Llazarov, u kthye në lojë, duke zhvilluar një pjesë të dytë mjaft të mirë dhe duke nxjerr në fund rezultat pozitiv, barazim prej 27:27.

Llazarov, ishte më efikasi në sulm, me dhjetë gola, ndërsa më meritori për barazimin ishte pa dyshim portieri Borko Ristovski, I cili pos intervenimit vendimtar në fund të ndeshjes, kishte edhe 19 mbrojtje të tjera. Pas kësaj pike, Maqedonia, në grupin e gjashtë kualifikues, mbetet në pozitën e dytë, me tre pikë të fituara, një më pak se favoriti absolut Franca, e cila pa vështirsi korri edhe fitoren e dytë, duke triumfuar me 33:24 si mysafir kundër Zvicrës. (Mustafa Ademi, TVM2)