Botë
Greqi, 35 emigrantë pozitivë, revoltë në kampin “Moria”
09.09.2020 15:24
Autoritet greke janë vënë në alarm,mbas shpërthimi të revoltës në kampin e emigrantëve...

Autoritet greke janë vënë në alarm,mbas shpërthimi të revoltës në kampin e emigrantëve në Moria të Mitilinit ku jetojnë afro 13.000 emigrantë. Emigrantët kërkuan dhunshëm heqjen e karantinës, si dhe kushte më të mira jetese. Situata u tensionua mbas vendimit të autoriteteve të mos lejojnë heqjen e karantinës për shkak të frikës së përhapjes së Covid-19 edhe në komunitetin vendas. Pak pas mesnate, grupe emigrantësh i vunë zjarrin disa barakave, duke vënë në rrezik të gjithë banorët që jetojnë në kampin famëkeq të emigrantëve. Prej flakëve është djegur pothuaj tërë kampi, e mijëra emigrantë tashmë nuk kanë ku të flenë.
Covid-19, Ballkani kryeson listën për raste në Europë
Greqia po përballet me shtim të rasteve me Korona, sidomos në zonat ku kushtet janë të rënda, e kjo përfshin edhe kampet e refugjatëve. Vendi fqinj bëhet gati për hapjen e shkollave më 14 shtator teksa gjatë gjithë verës ka mbyllur kufijtë për vendet fqinje nga frika e shtimit të rasteve. dhe frika nuk është e kotë. 7 vende të Ballkanit mbajnë vendet e para me infektime në Europë për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit. Mali i Zi është shteti me nivelin më të lartë të përhapjes dhe regjistron 179 raste për 100 mijë banorë. Kosova renditet në vendin e pestë pas Bosnjës, Francës dhe Luksemburgut. Maqedonia e Veriut ka pasur 64 raste për 100 mijë banorë në dy javët e fundit. Listën e vendeve ballkanike me rrezik të lartë, e përmbyll Shqipëria. Mesatarja aktuale e përhapjes së koronavirusit në Europë është 42 të infektuar për 100 mijë banorë. Të vetmet shtete të Ballkanit poshtë këtij niveli janë Serbia dhe Bullgaria.
GAZMEND KURTISHI
