Kolorado, nga diell përvëlues në borë brenda 24 orëve

09.09.2020 15:38

Banorët e Kolorados, hodhën në një qoshe kremin e nxirjes nga dielli....

Banorët e Kolorados, hodhën në një qoshe kremin e nxirjes nga dielli dhe nxorën dorezat e leshta dhe çizmet , teksa  shteti në perëndim të SHBA, kaloi nga i nxehti përvëlues tek reshjet e borës, në harkun kohor të vetëm 24 orëve.

Në Denver, temperatura ishte 33 gradë celsius të hënën pasdite, e tre ditë më herët u ngjit në 37. Por, mëngjesin e të martës ra në 2 gradë celsius dhe sot u ul akoma më shumë.

Për parashikuesit e motit ky mund të jetë një nga ndryshimet më drastike të temperaturave, i regjistruar ndonjëherë në Kolorado, në një hark kohor kaq të shkurtër.

Gjithçka ishte shkaktuar nga një rrymë ajri të ftohtë, i ardhur nga Kanadaja. Për momentin, paralajmërime për mot dimri janë lëshuar në Koloradon e Jugut ku  degët e pemëve, të mbushura ende me gjethe të gjelbra vere, mund të thyhen nga pesha e borës.