Spasovski: Ligjet i sollëm, erdhi koha t’i zbatojmë

09.09.2020 16:35

Në konferencën e tij të parë pasi u kthye në krye të Ministrisë së Brendshme....

Në konferencën e tij të parë pasi u kthye në krye të Ministrisë së Brendshme, ministri Oliver Spasovski siguroi qytetarët se policia do të vazhdojë të jetë mbrojtëse dhe partnere e tyre, pa dallim të përkatësisë etnike, partiake apo gjinore. Paralajmëroi se do të vazhdohet me implementimin e strategjive të përgatitura në periudhën e kaluar dhe përmirësimin e standardit të nëpunësve policorë.

Spasovski është i prerë, deri në fund të mandatit të tij pa kompromis do të luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Ligjet janë sjellë dhe tani është koha për zbatim. Shteti është partner i të gjitha institucioneve dhe gjitha grupeve të interesit për ndërtimin e sistemit të drejtësisë që do t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve. Vazhdojmë me implementimin e strategjive dhe sigurisht që puna dhe rezultatet e mira të policisë vijnë pas motivimit dhe përmirësimit të statusit të tyre. Në bashkëpunim me institucionet tjera, do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin.”,- deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

Jo vetëm ndaj të tjerëve, por do të sanksionohen edhe policët të cilët punojnë kundër ligjit dhe i keqpërdorin pozitat e tyre.

“Çdonjëri nga policët duhet të jetë i përgjegjshëm se çdokush që bën shkelje është i barabartë para ligjit, qoftë polic i thjesht apo më i lartë në hierarki. Por, sigurisht se edhe ministra e çdo person tjetër me funksion duhet të dënohet.”,- tha Spasovski.

Një nga prioritetet do të jetë dhe digjitalizimi i shërbimeve dhe modernizimi i bazave të të dhënave. Në qendrat urbane do të vendosen kamerat për kontrolle për respektim të shpejtësisë, do të modernizohen pikat kufitare me lexues digjital të targave të veturave, do të finalizohet dhe koncepti polic lagjeje.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike, premtoi edhe vazhdim të reformave në luftën kundër sulmeve kibernetike. Spasovski premtoi edhe intensifikim të luftës kundër tregtisë me njerëz dhe migrimit ilegal. (Gazmend Rexhepi, TVM2)