Maqedoni
U hapën çerdhet edhe në Strugë, pak fëmijë në ditën e parë të rikthimit. Viti shkollor prej më 1 tetor, shkollat e Strugës kërkesë për mësim fizik
09.09.2020 17:39
Fëmijët e Strugës iu drejtuan çerdhes së tyre, por vetëm 40 nga 200 sa ka vende në kopsht...

Prindërit ende merren me dokumentet për regjistrimin e fëmijëve, e ditët në vijim pritet të rritet numri i fëmijëve.
"Ishim të hapur sipas urdhëresave që na janë dhënë dhe kemi fëmijë, por jo nga ajo që janë të paraqitur. Kjo ndodh me siguri për shkaqe se janë duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm dhe presim që ditët në vijim numri i fëmijëve të rritet sa më shumë. Sa i përket kuadrit, ne kemi kuadrin e nevojshëm në bashkëpunim me ministrinë e punëve sociale dhe komunën e Strugës.",- deklaroi drejtoresha e çerdhes në Strugë, Sema Shazimani.
Prindërit që vendosën t’ua dorëzojnë fëmijët edukatoreve thonë se janë të detyruar pasi nuk ka kush tua ruajë sepse janë në punë.
"Pasi që jemi në marrëdhënie pune jemi të detyruar t’i çojmë në kopsht dhe besoj që kushtet janë më se të mira",- u shpreh një prind.
Tani që puna e kopshteve u vu në binarë të duhur, komuna e Strugës është fokusuar në fillimin e shkollave më 1 tetor. Nga komuna e Strugës për TVM2 thonë se në bisedim me drejtorët e shkollave, kanë bërë kërkesë që shkollat të fillojnë mësimin me prani fizike.
"Ne si komunë jemi të mendimit që pjesëmarrja fizike do të jetë më efektive pasi që pamë se gjysmë vitin e kaluar nuk dha efektin që duhej sa u takon nxënësve, kështu që mbajtëm një takim me të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme me qëllim që të shohim a mund të krijojmë kushte për nxënësit të jenë me pjesëmarrje fizike dhe të mos rrezikohen.",- theksoi udhëheqësi i sektorit për shkencë dhe arsim, Dashmir Nasufi.
Sot është afati i fundit për kërkesat e shkollave për pjesëmarrje fizike, pritet të shihet vendimi i qeverisë.
ILMIJE ZHAKU
