Arrestohet gjykatësja në Shqipëri, përfitoi 6 mijë euro, u korruptua nga 3 avokatë

09.09.2020 20:14

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar....

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK arrestoi gjyqtaren dhe një avokat. Sipas SPAK-së, bëhet fjalë për gjyqtaren e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka, dhe ish-prokurorin, Skënder Demiraj, i cili prej disa vitesh ushtron profesionin e avokatit.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme rezulton se 3 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë dhënë gjyqtares, Mimoza Margjeka, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit - Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6 000 eurosh.

Kjo shumë është paguar në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria e Pogradecit për veprën penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Pas marrjes së ryshfetit gjyqtarja e komanduar në Apelin e Korçës, Mimoza Margjeka, ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore” për Orion Balin.

Për këtë arsye me kërkesë të SPAK-së, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e arrestit me burg për shtetasit, Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për korrupsion.

E njëjta masë është vendosur edhe për bashkëshortin e gjyqtares, ndërsa për avokatin Demiraj është caktuar masa “arrest në shtëpi”.

Në të njëjtën masë është lënë edhe gjyqtarja për të njëjtën akuzë.(Luljeta Ndoka, TVM2)