Pakoja e katërt e masave, LOE kërkon të ndihmohen bizneset

10.09.2020 15:19

Pakoja e katërt e masave ekonomike anti-Kovid....

Pakoja e katërt e masave ekonomike anti-Kovid të përfshijë më shumë sektorin real, i cili është gjenerator i ekonomisë vendore, kërkoi Lidhja e Odave Ekonomike gjatë takimit me Ministrinë e Ekonomisë.

Kryetarja e LOE-së, Danella Arsovska, theksoi se përpos ndihmës financiare, është e nevojshme që të hartohen edhe protokolle të punës për të gjitha aktivitetet pa përjashtim, mundësim të qarkullimit më të shpejtë në kufij dhe lidhje të kontratave të reja për kompanitë e orientuara për eksport.

“Konsiderojmë që kjo mbështetje financiare që është në sektoret që mbulohen nga Ministria e Ekonomisë, është e patjetërsueshme të jenë të shpejta, të targetuara mirë, të cilat do t’iu japin një lloj garanci atyre veprimtarive të cilat janë të detyruara të mbyllen, jo me dëshirën e tyre. Dhe veçanërisht në këtë periudhë përmes mbështetjes financiare t’i tejkalojnë këto ditë të vështira që të mund të vazhdojnë më tej të punojnë dhe më e rëndësishmja të mos ulin numrin e të punësuarve.”,- tha kryetarja e LOE-së, Danella Arsovska.

Bekteshi: Pakoja e katërt do të ketë prioritet sektorin real

Kreu i Ekonomisë, Bekteshi, theksoi se aktualisht po bëhen konsulta me të gjitha palët në mënyrë që pakoja e katërt t’iu dalë maksimalisht në ndihmë kompanive vendore.

“Si ministri jemi duke përgatitur masa të pakos së katërt ekonomike, masa të cilat kryesisht do të targetojnë sektor të veçantë në vendin tonë, sektor të cilët me vendim të qeverisë por duke u përputhur edhe me rrethanat të cilat i kemi nga Kovid-19, kanë qenë krejtësisht të mbyllura, sektorë të cilët kanë pasur ndikim pozitiv në të kaluarën në rritjen ekonomike.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi informoi se gjithsej 30 mijë kupona janë shfrytëzuar nga qytetarët të cilët kanë pagë minimale, ndërsa mbi 80% nga kartelat pagesore janë shfrytëzuar  nga qytetarët të cilët kanë qenë të regjistruar si të papunë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)