Maqedoni

Carovska: 36 shkolla kërkojnë mësim me prani fizike

10.09.2020 15:48

36 shkolla i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit që të realizojnë mësimin me prani fizike të nxënësve në klasa...

36 shkolla i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit që të realizojnë mësimin me prani fizike të nxënësve në klasa, bëri të ditur ministrja e arsimit, Milla Carovska. Kërkesat do të shqyrtohen nga një komision qeveritar i përbërë nga përfaqësues të kabinetit të kryeministrit, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
 
“Deri tani kanë arritur kërkesa nga 36 shkolla, nga të cilat 15 shkolla të mesme dhe 21 shkolla fillore. Kërkesa mund të arrijnë edhe gjatë ditës, ndërsa kemi për obligim të presim edhe tre ditë për kërkesat me postë dhe më pas komisioni do t’i shqyrtojë. Shkollat gjithsesi po përgatiten, për shkak se gjendja epidemiologjike mund të ndryshojë dhe procesi është dinamik. Komisioni qeveritar do t’i sjellë vendimet dhe ne si institucion që i krijon politikat në sferën e arsimit do t’i implementojmë ato vendime që do t’i konfirmojë qeveria.”,- deklaroi Milla Carovska nga MASh. 
 
Viti i ri shkollor me vendim të qeverisë është shtyrë për një muaj, përkatësisht për muajin tetor dhe në pjesën më të madhe të shkollave pritet të zhvillohet mësimi online. Ministrja Carovksa tha se mësimi online është gati dhe se së shpejti do të promovohet që të jetë më lehtë për nxënësit mësimdhënësit dhe prindërit.
 
Alternativa: Viti shkollor të nisë në janar të vitit 2021
 
Derisa ministria e arsimit po bën përgatitje për fillimin e vitit të ri shkollor më një tetor, partia opozitare AlternAtivA konsideron se as kjo datë nuk është e përshtatshme dhe propozon që mësimi të fillojë në fillim të janarit të vitit 2021. 
 
“Alternativa vlerëson se as kjo datë nuk është e përshtatshme, prandaj propozojmë që mësimi të fillojë në fillim të janarit 2021. Duke pasur parasysh se në vjeshtë pritet fillimi i një vale të re të virusit Kovid-19, çdo fillim i mësimit në atë kohë do të ishte një mundësi rreziku që fëmijët të infektohen dhe nëse kjo do të ishte me pasoja të padëshirueshme kjo do të ishte fatale për gjitha shtetin.”,- u shpreh deputetja, Safije Sadiki Shaini.
 
Alternativa po ashtu është edhe kundër mësimit online, pasi vlerëson se nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme që ai të jetë i suksesshëm.
 
REJHANE BUSHI METAJ