Maqedoni

Kuvend, arrihet pajtim për komisionet parlamentare

10.09.2020 16:52

Mbi një muaj nga konstituimi i Kuvendit, shtëpia ligjvënës pritet të fillojë diskutimin dhe miratimin e qindra ligjeve...

Mbi një muaj nga konstituimi i Kuvendit, shtëpia ligjvënës pritet të fillojë diskutimin dhe miratimin e qindra ligjeve që janë dorëzuar në procedurë parlamentare, nga qeveria e kaluar, si dhe projekt ligjet e paralajmëruara nga shumica e re parlamentare.
 
Koordinatorët e grupeve parlamentare kanë arritur pajtueshmëri për ndarjen e komisioneve parlamentare. Në takimin e fundit koordinues, te kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, është rënë dakord që numri i komisioneve të mbetet i njëjtë. 8 komisione do të kryesojë LSDM dhe Besa; 8, VMRO-DPMNE; 3, BDI dhe 2 komisione do të drejtojë grupi parlamentar ASH-Alternativa.
 
“Përfundimisht, në bazë të numrit të deputetëve, përcaktuam cilat komisione do t’i drejtojë opozita, cilat, shumica. E dini që kjo çështje zgjidhet me konsensus. Sot përfundimisht arritëm konsensus.”,- deklaroi Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
“Do të marrim pjesë në séance, me arsyen e vetme, që të vëmë Kuvendin në funksion dhe të punojmë në trupa të caktuara, ku edhe ne si opozitë kemi propozim ligje që do të’i propozojmë, në periudhën që vjen.”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Pas polemikave mes Lëvizjes BESA dhe BDI-së, është rënë dakord që BDI të udhëheq Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa BESA atë për Kulturë. ASH do ta ketë Komisionin Anketues për Liri dhe të Drejta si dhe Komisionin për Punë Sociale.
 
Një ditë më parë, ish kryeministri Oliver Spasovski tha se në Kuvend nuk janë proceduar mbi 200 projekt-ligje të dorëzuar gjatë mandatit të tij. Gjithsesi se, pas formimit të Qeverisë së re, ministritë përkatëse do të deklarohen nëse do të qëndrojnë pas atyre propozim ligjeve ose do të propozojnë projekt ligje të tjera. 
 
Ndërkaq, kryepralamentari Talat Xhaferi, ka ngritur diskutime rreth nevojës për funksionim alternativ të Kuvendit, në kushte të pandemisë. Paralajmëroi ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në përputhje me atë që është akorduar përmes dialogut “Zhan Mone” si dhe miratimin e ligjeve reformuese, në vigjilje të konferencës ndërqeveritare për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në. 
 
SHPËTIM NUREDINI