Maqedoni

Filipçe priti Zemajn në Shkup, javën e ardhshme shqyrtohet hapja e kufijve

10.09.2020 17:17

Në javën e ardhshme do të shqyrtohet hapja e kufijve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosova...

Në javën e ardhshme do të shqyrtohet hapja e kufijve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosova. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, pas takimit me homologun e tij kosovar, Armend Zemaj, njoftoi se është formuar grup pune i cili do ta ndjek situatën epidemiologjike. Në këtë grup pritet të kyçen edhe vendet tjera të rajonit, tha Filipçe. 
 
“U morëm vesh për disa gjëra konkrete, janë të njohur anëtarët e grupeve punuese nga dy vendet tona, presim dhe vendet tjera të rajonit, që do të punojnë në këmbimin e informatave për situatën epidemiologjike. Kjo do të na ndihmojë për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth epidemisë dhe në bazë të kësaj do të vendosim edhe për regjimin e lëvizjes së lirë. Por, për vendimin sa i përket hapjes së kufirit do të vendosim javën që vjen.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ministri i shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, tha se gradualisht me përmirësimin e situatës do të shqyrtohet edhe hapja e kufijve.
 
“Gjithçka që do të bëjmë në aspektin shëndetësor ne do ta vendosim bashkërisht. Do ta vlerësojmë së pari në aspekt profesional me shumë pak politikë, të jem i sinqertë dhe në interes të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të të dy republikave tona. Po insistimi ynë është që gradualisht me përmirësimin e situatës ta lehtësojmë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave, bizneseve dhe çfarëdo nevoje që është mes dy vendeve tona.”,- tha ministri i shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.
 
Aktualisht qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të hyrë në Kosovë duhet të dorëzojnë vërtetim me rezultat negativ nga testi PCR i bërë brenda 72 orësh, ndërsa e njëjta vlen edhe për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoninë e Veriut.
 
SANIJE DURAKU