Maqedoni

Hotelierët: Koordinim për përpilimin e protokolleve

10.09.2020 18:11

Hotelierët kërkojnë dialog për sjelljen e vendimeve për mënyrën e funksionimit të këtij sektori gjatë stinës së dimrit..

Hotelierët kërkojnë dialog për sjelljen e vendimeve për mënyrën e funksionimit të këtij sektori gjatë stinës së dimrit, marrë parasysh se kriza Kovid do të jetë edhe më tej e pranishme në vend. Ata propozojnë që protokollet të përpilohen në bashkëpunim me hotelierët, pasi protokollet që i sjellin institucionet nuk janë të zbatueshme në praktikë. 
 
“Sjellin vendime që kanë të bëjnë me ngjarje të shkallës më të lartë, që nënkupton prani më të madhe të njerëzve, ku është absurd që të mund të respektohen protokollet, por nga ana tjetër nuk ka protokolle që ndikojnë në objektet hotelierike. Ne kemi të dhëna se 6,500 subjekte janë të regjistruara në Maqedoni të Veriut që kryejnë veprimtari hotelierike me rreth 35,000 punonjës të drejtpërdrejtë dhe të ardhurat totale që ata fitojnë në vitet e kaluara arrijnë në 850 milion euro, nga të cilat mbi 100 milion përfundojnë në thesarin e taksave të shtetit dhe 45 milion për kontributet e punonjësve. Këtë vit ata mezi do të përfundojnë me një të tretën, e cila nuk mund të mbulojë as në distancë kostot themelore.”,- deklaroi kryetari i Odës së Hotelierëve, Dravko Josifovski.
 
Për koordinim të qëndrimeve angazhohet edhe kreu i Shkupit, Petre Shilegov. 
 
“Vetëm me një qëndrim të përbashkët, interaktiv dhe harmonizim të pikëpamjeve dhe nevojave të furnizuesve të ushqimit nga njëra anë dhe detyrimeve ligjore që ata kanë nga ana tjetër, ne mund të gjejmë mënyra të përshtatshme për të ndihmuar funksionimin e objekteve hotelierike.",- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Udhëheqësia e odës tashmë ka realizuar takim me zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, i cili ka premtuar se qeveria do të japë angazhim maksimal për të përkrahur sektorin hotelierik dhe turizmin.
 
GAZMEND REXHEPI