Maqedoni

Shpërthimi i zjarrit te ish Komercialja, organet po hetojnë shkaqet

10.09.2020 18:18

Organet kompetente po merren akoma me vlerësimin e dëmit dhe shkakun e shpërthimit të zjarrit...

Organet kompetente po merren akoma me vlerësimin e dëmit dhe shkakun e shpërthimit të zjarrit që përfshiu ndërtesën ku janë të vendosura Sekretariati për Çështje Evropiane, Agjencia Invormative-MIA dhe Inspektorati i Ambientit. Drejtori i MIA-s, Dragan Antonovski, thotë se dëmet janë serioze dhe nuk mund të përdorin hapësirat që përfshiu zjarri.  
 
“Atë që ne e pamë në momentet e para hapësirat janë tërësisht të papërdorshme pasi që nxehtësia, tymi të gjitha kanë kaluar nëpër MIA, dy zyra janë djegur, nuk ka rrymë, nuk ka ajër brenda, do të duhet t’i kontrollojmë pajisjet se çka ka mbetur e çka jo dhe jemi në situatë që të mos mund t’i shfrytëzojmë hapësirat.”,- deklaroi drejtori i MIA-s, Dragan Antonovski.
 
Nga Inspektorati i Mjedisit thonë se krahas dëmit në hapësirën ku ruhet arkivi, konfirmojnë se për të gjitha dokumentet kanë edhe evidencë elektronike dhe nuk do të kenë probleme në zbatimin e mbarëvajtjes së punës.
 
“Ne përsëri po i kryejmë obligimet tona në përputhje me planin mujorë për punë. Një pjesë të dokumentacionit e kemi në formë elektronike dhe nuk do të na shfaqë problem në kryerjen e aktiviteteve të mëtutjeshme.”,- u tha nga Inspektorati Shtetëror i Ambientit.
 
Zjarri në ndërtesën e ish-Bankës Komerciale ku janë vendosura disa institucione shtetërore, shpërtheu në mëngjesin e së mërkurës, teksa kanë ndërhyrë 24 zjarrfikës me nëntë automjete për ta shuar.
 
NAIM RAMADANI