Zemaj, takime të ndara me Grubin dhe Xhaferin
Gjatë qëndrimit në Shkup ministri kosovar i shëndetësisë, Armend Zemaj...

Gjatë qëndrimit në Shkup ministri kosovar i shëndetësisë, Armend Zemaj, u prit edhe nga Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi. Siç bëhet e ditur nga kabineti i zëvendëskryeministrit Grubi, dy bashkëbiseduesit gjatë takimit mes tjerash diskutuan edhe mbi rëndësinë e hapjes së pikave kufitare në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, vendim ky që do të ndihmonte ekonomitë e të dyja vendeve. Grubi me këtë rast i tha Ministrit Zemaj se ai personalisht është për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare me qëllim qarkullimin e lirë edhe atë sipas modelit të shfrytëzuar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, përmes qarkullimit të lirë pa kërkim të testeve PCR. Zemaj u prit edhe nga kryeparlamentari Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi, ndër tjerat, është zotuar për ndërmarrjen e hapave për lehtësimin e lëvizjes të qytetarëve të dy vendeve, duke e respektuar me këtë rast mendimin e trupave profesionalë. Xhaferi po ashtu theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut e përshëndet nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik që u nënshkrua në Uashington ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
