Maqedoni
Votimi i ligjeve të rëndësishme, Zaev: Kam garanci dhe nga 3 deputetë të opozitës
11.09.2020 11:05
Edhe pse një sërë ligjesh presin miratim, kuvendi aktualisht nuk e ka shumicën e domosdoshme.

Njëri nga deputetët e BDI-së është i sëmurë me Kovid-19. Maxhoranca ka edhe një tjetër deputet më pak, pasi ende nuk është verifikuar mandati i deputetit i cili do të vjen në vendin e ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska. Por kryeministri Zaev, është i qetë se në kuvend koalicioni qeverisës e ka shumicën që i duhet. Në MTV 1 mbrëmë Zaev tha se ka marrë garanci për mbështetje edhe nga tre deputetë shtesë jashtë mazhorancës parlamentare për projekte të caktuara, por megjithatë, nuk i zbuloi emrat e tyre.
“Mbështetja i referohet projekteve të caktuara, por kur bëhet fjalë për votat do të shihet“, tha Zaev. Ai në periudhën e ardhshme pret një rritje të shumicës, por megjithatë sqaroi se stabiliteti i qeverisë nuk varet nga numrat por nga politikat që do të ndjekë. Zaev nuk planifikon zgjedhje të parakohshme parlamentare deri në mandatin e rregullt në 2024.
