Botë
Sulmet e 11 shtatorit, manifestim përkujtimor, në kushte pandemie
11.09.2020 12:08
Qyteti i Nju Jorkut do të zhvillojë ceremoninë vjetore të përkujtimit të rreth 3,000 personave...

Qyteti i Nju Jorkut do të zhvillojë ceremoninë vjetore të përkujtimit të rreth 3,000 personave, që humbën jetën si pasojë e sulmit më të madh terrorist në historinë amerikane.
Përkujtimi do të fillojë me një minutë heshtjeje, pikërisht në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës sulmuan kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë. Nju Jorku shënon19-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në një kohë kur përballet me pandeminë me virusin korona dhe me mospajtime me Shtëpinë e Bardhë. Në vend të mbajtjes së fjalimeve për të vdekurit, familjet e viktimave kanë incizuar veten paraprakisht. Thirrjet e tyre do të prezantohen në “nivelin zero” të memorialit. Muzeu që nderon viktimat do të hapet për herë të parë prej kur virusi korona ka bllokuar qytetin në muajin mars.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andreu Cuomo, tha më herët se qëndrueshmëria e banorëve të Nju Jorkut pritet të testohet sërish nga efektet sociale dhe ekonomike të pandemisë. Shkalla e infektimit me korona, që ka lënë të vdekur 23,000 persona në këtë qytet, që ishte edhe epiqendra e infektimeve në Shtetet e Bashkuara, është ulur në gati nën 1 për qind.
