Maqedoni

Votimi i ligjeve të rëndësishme, Zaev: Kam garanci edhe për 3 deputetë të opozitës

11.09.2020 16:46

Edhe pse një sërë ligjesh presin miratim...

Edhe pse një sërë ligjesh presin miratim, kuvendi aktualisht nuk e ka shumicën e domosdoshme. Njëri nga deputetët e BDI-së është i sëmurë me Kovid-19. Maxhoranca ka edhe një tjetër deputet më pak, pasi ende nuk është verifikuar mandati i deputetit i cili do të vijë në vendin e ministres Shahpaska. Por, kryeministri Zaev është i qetë se në kuvend koalicioni qeverisës e ka shumicën që i duhet, madje ka garanci për mbështetje edhe nga tre deputetë shtesë jashtë mazhorancës parlamentare për projekte të caktuara. Gjithsesi, nuk i tregoi emrat e tyre.

“Sigurisht që unë nuk do t’i publikoj ata persona, sepse kam biseduar për projekte të caktuara që janë pjesë përbërëse e Qeverisë, e janë të rëndësishme edhe për qytetarët që ata i përfaqësojnë. Dhe ajo do të ndodh kur do t’i shohim votat pas projekteve, por jam i bindur se me politikat, me qëllim të ndershëm, transparencë, do të fitojmë shumicë edhe më të gjerë, sepse thjesht nuk është në rregull që të jemi kundër.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Pastrimi i gjyqësorit, Zaev: Ligjet janë, kush i shkel i vuan pasojat

Zaev në debatin në TVM tha se qeveria e re ka hapur një front kundër krimit dhe korrupsionit, por si prioritet kryesor theksoi nevojën për pastrimin e gjyqësorit, një proces që mund të zbatohet përmes ligjeve ekzistuese.

“Nuk kemi nevojë për ligje të reja, me ligjet ekzistuese mund të bëhet një pastrim i plotë i gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor ka mekanizma, ka mundësinë të shohë se cilat lëndë janë të vjetruara dhe ka të drejtë të marrë vendime për pushimin nga puna dhe dënimin. Këshilli i Prokurorëve Publikë, si dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyra e të Ardhurave Publike, sigurisht që mund të përfshihen në proces, kryesisht duke kontrolluar origjinën e parave dhe kapitalit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë publikë.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

I  pyetur se a mund të ketë zgjedhe të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, ai tha se do të ketë vetëm zgjedhje të rregullta në 2024. (Sanije Duraku, TVM2)