Pediatrët: Vaksinat forcojnë imunitetin e fëmijëve

11.09.2020 17:03

Vaksinimi krijon rezistencë të trupit ndaj sëmundjeve....

Vaksinimi krijon rezistencë të trupit ndaj sëmundjeve, parandalon rrezikun dhe vdekshmërinë nga sëmundja. Por, periudhën e fundit nuk janë të paktë ata që kanë dyshime rreth asaj se a duhet t’i dërgojnë fëmijët në imunizim.

Mjekja pediatre, Liljana Kojiq, thekson se pranimi i vaksinave ndihmon jashtëzakonisht fëmijët në forcimin e imunitetit, andaj rekomandon që të gjithë prindërit të mos kenë hezitim. Vaksinat madje mund të japin ndikimin e tyre edhe në përballjen me virusit Covid-19. 

“Absolutisht vaksinat nuk e dobësojnë imunitetin. Përkundrazi, vaksinat e forcojnë atë. Veçanti te vaksinat është se duhet të kalojë një numër i caktuar i ditëve derisa të arrihet një status imunitar i plotë kundër asaj sëmundje për të cilën merret vaksina. Madje, disa studime të muajit gusht tregojnë se disa vaksina të cilat përmbajnë struktura antigjene mund të ndihmojnë në marrjen e një pjese të imunitetit të kryqëzuar kundër Koronës. Ndoshta jo plotësisht ta mbrojnë, por për të pasur një pasqyrë klinike më të lehtë.”,- deklaroi pediatrja, Liljana Kojiq.

Nga viti i kaluar janë shtuar dy vaksina të reja të detyrueshme, ajo ndaj virusit Rota dhe streptokokut. Kojiq thotë se rezultatet janë menjëherë të dukshme. Numri i pacientëve nga këto sëmundje ka rënë, por për të pasur një pasqyrë të qartë rreth rënies së numrit të infektimeve të reja duhet të kalojnë së paku 5 vite.

“Vaksina kundër steptokokut është një vaksinë e cila duhet të pranohet në këtë periudhë. Në vendet evropiane ajo rekomandohet si një masë preventive jashtë krizës së Koronës për personat më të moshuar se 65 vjeç.”,- theksoi pediatrja, Liljana Kojiq.

Vaksina kundër streptokokut, përveç pleqve, është e rekomandueshme edhe për fëmijët e moshës 2-4 vjeçare. (Ersan Pajaziti, TVM2)