Covid-19, 5 të vdekur, 142 raste të reja e 98 të shëruar

11.09.2020 17:10

Nga 1542 testimet e bëra në 24 orët e fundit...

Nga 1542 testimet e bëra në 24 orët e fundit, janë regjistruar 142 raste të reja me Covid-19. Kryeson Shkupi me 37, në Kumanova me 18, Tetova - 13, qytetet e tjera kanë më pak se 10 të infektuar. Betejën me Covid-19 e kanë humbur 5 qytetarë nga Gostivari, Prilepi, Ohri,  Makedonski Brodi dhe Shtipi. Janë regjistruar edhe 98 të shëruar, më së shumti nga Shkupi.

Rritet numri i të infektuarve, mjekët: Pasojë e grumbullimeve pa kontroll

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se vetëm në javën e fundit numri i infektimeve është rritur në  20%, e për këtë e kanë fajin koncertet dhe festat në vendet turistike, si dhe kthimi nga pushimet verore.

“Kishim një periudhë dyjavore ku gjithçka shkonte mirë, por javën e fundit kemi rritje për 20% të pacientëve Covid pozitivë. Kjo është pasojë e grumbullimeve nëpër koncerte, si ato në Strumicë, në klubet e natës, si dhe shkuarja në bregdetin shqiptar dhe kthimi nga atje, kur dihet se Shqipëria është zonë e rrezikut të lartë nga Covid-19. Kjo ka bërë që numri i të infektuarve të shkojë në rritje.”,- theksoi mjeku, Aleksander Stojanov.

Vjeshta po afron, 40 mijë vaksina kundër gripit sezonal

Ende nuk dihet ndërkohë kur do jetë gati vaksina e re. Autoritetet shëndetësore sigurojnë gjithsesi se edhe vendi ynë do të ketë qasje te vaksina, kur ajo të jetë në dispozicion në të gjithë botën. Aktualisht vendi përgatitet për sezonin e vjeshtës dhe janë siguruar 40 mijë vaksina kundër gripit sezonal. Mjekët apelojnë që qytetarët të vaksinohen kundër gripit, kështu ata mund t’i kushtojnë më shumë kohë trajtimit të Covid-19 në vend që të merren me të sëmurët me grip. (Rejhane Bushi –Metaj, TVM2)