U përurua libri “Dromca kujtimesh” i autorit Atli Qormemeti
Në kushte pandemie, në Qendrën për Kulturë në Dibër...

Në kushte pandemie, në Qendrën për Kulturë në Dibër, para dashamirësve të fjalës së shkruar, u përurua libri “Dromca kujtimesh” i autorit Atli Qormemeti.
Arsimtari i muzikës, që ka qenë shpeshherë edhe drejtues e orkestrues i shoqërive të ndryshme muzikore, e gjithë jetën ia ka kushtuar artit dhe muzikës, vendosi të hedhë në një libër të gjitha kujtimet e tij.
Në veprën e tij të parë, ai përshkroi aktivitetin kulturor të shoqërive të ndryshme që nga viti 1940 e deri më sot, me theks të veçantë SHKA “Liman Kaba”, grupe të ndryshme, artistë, instrumentalistë, valltarë e personalitete që kanë dhënë kontribut në sferën e artit e të muzikës, u theksua në recensionin e përgatitur nga Alit Basha.
Vetë autori i librit tha se kujtimet mbeten të gjalla deri sa përjetuesi i tyre jeton, por të shkruara në një libër, ato jetojnë përgjithmonë.
Botues i librit është Qendra për Kulturë në Dibër, e ai është botuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës. (Atli Dema, TVM2)
