Kuvendi zgjedh trupat punues, Xhaferi nxit idenë për funksionim on-line
Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve...

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve konfirmoi propozim vendimin për zgjedhjen e kryetarëve, nënkryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të komisioneve parlamentare. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, paralajmëroi seancën plenare për ditën e hënë dhe fillimin me punë të Kuvendit me kapacitet të plotë.
Po të hënën, pritet të kompletohet edhe shumica parlamentare, me verifikimin e mandatit të deputetes së LSDM-së, Emilija Rambabova. Shumica e brishtë prej 62 deputetë pret edhe rikthimin e deputetit të BDI-së, Arben Ziberi, i cili ndodhet në kurim spitalor nga virusi Kovid-19. Për shkak të epidemisë dhe situatave të ngjashme që mund të vështirësojnë ose pamundësojnë punën e Kuvendit, kryeparlamentari Xhaferi propozon shqyrtimin e mundësive alternative për punë.
“Për t’u realizuar kjo alternativë do të duhet të ketë rregulla të përkohshme të cilat do të sanksionojnë rregullat e punës në situata të tilla. Alternativa nuk është për të zëvendësuar atë që është obligim i funksionimit të rregullt. Ideja është për alternativë nëse vijmë në situatë që për shkak të infektimit, qoftë të nëpunësve shtetërorë në Parlament, apo deputetë të përbërjes së Parlamentit, që të mund të punojmë edhe në atë kohë.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pagesat për rrugë, Xhaferi kundër shkurtimit të shpenzimeve
Xhaferi i prerë edhe për idenë që deputetëve, që t’u shkurtohet kompensimi për harxhimet e rrugës. Konsideron se prekja e të drejtave të deputetit është prekje në të drejtën e sovranit që i zgjedh ata.
“Nuk ndaj mendimin që duhen të hiqen. Janë çështje statusore të të drejtave të deputetëve që burojnë nga e drejta e qytetarëve për t’i përzgjedhur. Deputeti përzgjidhet nga qytetarët dhe i përfaqëson qytetarët. Për fat të keq, në shoqërinë tonë, në vendin tonë, është krijuar perceptimi se e keqja e shoqërisë janë deputetët dhe parlamenti, që nuk e ndaj atë perceptim, atë mendim.”,- tha Xhaferi.
Në takimin tradicional me gazetarë, i cili për herë të parë u realizuar sipas protokolleve për mbrojtje nga Kovid-19, kreparlamentari Xhaferi njoftoi se prioritetet e shtëpisë ligjdhënëse në këtë periudhë do të jenë: miratimi i projektligjeve të domosdoshme për procesin europian në prag të seancës ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, përballja me epideminë dhe sanimi i pasojave ekonomike të shkaktuara nga epidemia. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
