Botë

Në ishujt Kanare sekuestrohet një ton kokainë nga “Karteli ballkanik”, arrestohen tre kroatë

12.09.2020 16:08

Në operacionin e koduar “Falkusa” të iniciuar nga policia kroate në ishujt Kanare është sekuestruar pothuajse një ton kokainë...

Në operacionin e koduar “Falkusa” të iniciuar nga policia kroate në ishujt Kanare është sekuestruar pothuajse një ton kokainë, vlera e së cilës arrin në mbi 40 milionë euro, ka bërë të ditur sot Ministria e Punëve të Brendshme të Kroacisë.

Policia ka njoftuar se ka mbledhur informacionet e para për kontrabandën transatlantike të sasive të mëdha të kokainës ku pjesëtarë të të ashtuquajturit “Karteli ballkanik” aktivisht janë përfshirë edhe shtetas kroat.

Për shkak të karakterit të shprehur ndërkombëtar të aktiviteteve kriminale që në fazën fillestare, policia kroate ka iniciuar bashkëpunim trilateral me gardën civile spanjolle dhe doganat franceze, ndërsa aksioni është mbështetur nga Europoli, DEA amerikane, NCA britanike, policia holandeze dhe ajo e BeH-së, transmeton Hina.

Ministria kroate e punëvë të brendshme, thekson se hetimi është drejtuar ndaj qelizës kriminale në kuadër të “Kartelit ballkanik”, i specializuar për sigurimin e shërbimeve për kontrabandë me drogë me varka dhe jahte.

Kjo qelizë kriminale është e përbërë nga të paktën tre shtetas kroat që janë rekrutuar nga karteli për kontrabandë tejoqeanike të kokainës me varka. Varka është regjistruar në Kroaci dhe ka lundruar me flamurin kroat.

“Në aksionin e koordinuar, ekip special i mbrojtjes civile spanjolle mëngjesin e 8 shtatorit në ujërat ndërkombëtar ka hasur në varkë kroate, ndërsa pas pëlqimit paraprak të organeve kompetente të Kroacisë, ekupiazhi përbëhej nga tre shtetas kroat. Pas kontrollit, ndërsa për shkak të dyshimit për kontrabandë me narkotikë, varka është tërhequr në ujërat nacional të ishujve Kanare”, theksohet në kumtesë.

Gjatë kontrollit të varkës në ishujt Kanare janë zbuluar gjithsej 980 pako me rreth 980 kilogramë kokainë me pastëri të lartë, ka njoftuar MPB-ja kroate.

Sipas informacioneve të deritashme, kokaina ka qenë e destinuar për tregun evropian, përfshirë edhe tregun spanjoll dhe kroat të drogës./mia