Maqedoni
MPPS: Dy raste me Kovid 19 në çerdhe
12.09.2020 17:15
Një e punësuar në kopshtin “Majski Cvet” në Manastir përkatësisht në objektin ‘Koca Vasilevska’...

Një e punësuar në kopshtin “Majski Cvet” në Manastir përkatësisht në objektin ‘Koca Vasilevska’, ka rezultuar pozitive në testin për kovid 19.
Nga ana e Komisionit për sëmundje infektive është realizuar kontakt me prindërit e fëmijëve dhe janë izoluar vetëm fëmijët nga ai grup.
“Në pajtim me vlerësimet e tyre, nuk ka rrezik për grupet tjera nga objekti dhe ata mund të vazhdojnë me punë dhe pranimin e fëmijëve. Me këtë rast, në pajtim me udhëzimet e Komisionit, në izolim shtëpiak janë edhe pesë të punësuar të tjerë në kopshtin e njëjtë deri më 15 përkatësisht 17 shtator, që nga kontakti i fundit me të punësuaren e infektuar në kopsht”, informojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Nga Ministria potencojnë se po merren të gjitha masat për dezinfektimin e objektit dhe hapësirës në kopsht.
Një rast tjetër është paraqitur në kopshtin ‘Rade Jovçevski-Korçagin’ por e punësuara që nga 9 shtatori nuk është në vendin e punës dhe nuk ka pasur kontakt me pranimin e fëmijëve në periudhën kur kopshtet filluan me punë.
"Në pajtim me rekomandimin e epidemiologëve, ku është paraqitur rasti, nëse deri të dielën 13 shtator nuk paraqiten punëtorë me simptoma objekti mund të vazhdojë të punojë normalisht nga e hëna”, thonë nga MPPS.
Nga kopshti informojnë se deri sot nuk kanë paraqitur ndonjë të punësuar tjetër nga objekti i njëjtë me simptoma të virusit Kovid-19.
Në pajtim me Protokollin për aktivitete në institucionet për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, pas ndërprerjes së kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, hapësirat në kopshte po dezinfektohen disa here në ditë.
SANIJE DURAKU
