Botë

Bjellorusi: Vazhdojnë protestat kundër Lukashenkos

13.09.2020 13:52

Gratë në Bjellorusi u mblodhën në kryeqytetin Minsk, në një tubim paqësor, për të kundërshtuar rizgjedhjen e Aleyskandr Lukashenkos...

Gratë në Bjellorusi u mblodhën në kryeqytetin Minsk, në një tubim paqësor, për të kundërshtuar rizgjedhjen e Aleyskandr Lukashenkos në postin e presidentit për mandatin e pestë me radhë.
 
Marshi i organizuar nga gratë është i fundit në vazhdën e protestave të përditshme që po mbahen në Bjellorusi, që prej se Lukashenka shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit. Kritikët thanë se rezultati zgjedhor u manipulua, gjë që shtyri që mbështetësit e opozitës të mbajnë protesta.
 
Autoritetet bjelloruse e kanë cilësuar protestën si “agresive” dhe “jofemërore”.  Ministria e Brendshme njoftoi se ka rritur prezencën e policisë dhe ushtarëve në Minsk, “për të parandaluar aktivitetet joligjore që kryejnë qytetarët protestues”.
 
Në njoftim thuhet se policia “do të operojë nën një mënyrë të ashpër të sigurisë”. Deri në mesditën e së dielës, janë raportuar se janë mbajtur dy marshe, me çrast policia ka njoftuar për arrestimin e disa personave. 
 
Derisa gjatë protestave më 12 shtator janë arrestuar 114 persona, ku 99 prej tyre janë arrestuar në Minsk. Policia ka arrestuar dhjetëra gra protestuese dhe të paktën dy gazetarë që kanë qenë duke e përcjell protestën.
 
Shumica e lidereve të aktiviteteve të opozitës janë gra, përfshirë edhe ish-kandidaten për presidente e cila gjendet jashtë vendit, Svyatlana Tsikhanouskaya. Shumica nga lideret opozitare janë arrestuar, siç është rasti i Maryya Kalesnikava dhe Lilia Vlasova.