Milan befasohet nga Palermo
Palermo gjen zbrazëtirat, i shfrytëzon dhe mposht Milanin në San Siro . Milan ka pësuar në San Siro përsëri...

Të dy disfatat e këtij stinori të Rossonerëve janë regjistruar në shtëpi. Pas Juventusit, ata mbrëmë i mposhti edhe Palermo, që shfrytëzoi një korner për golin e parë dhe pak më vonë (3 minuta) shfrytëzuan hutinë e vendasve për të realizuar edhe golin e dytë. Ekipi i Beppe Iachinit, kishte kryer punë për 26 minuta lojë.
Që prej atij momenti ata dinin si të luanin, duke mos lënë hapësira për ekipin e Milanit, që përkundër se u mundua nuk arriti të mposht asnjëherë Stefano Sorrentinon në portë të ishullorëve.
Me këtë fitore befasuese mbrëmë, Palermo është larguar paksa nga zona e rrezikshme e Serie A-së, derisa Milan tashmë ka bërë një hap prapa nga vendet që dërgojnë në Europë stinorin tjetër.
Përndryshe, kjo është ndeshja e dytë e stinorit ku Milan nuk ka arritur të shënojë në portën kundërshtare - që ka rezultuar me humbje (njejtë edhe ndaj Juventusit).
Në të gjitha ndeshjet tjera, ku ka shënuar së paku një gol, Milan nuk është mposhtur në dhjetë xhirot e para.
