Maqedoni

Zona Industriale në Kumanovë, Zaev: Ndihmë nga qeveria për zhvillimin e zonës

14.09.2020 16:12

Qeveria i ka ndarë komunës së Kumanovës 24 milionë denarë për ndërtimin e infrastrukturës...

Qeveria i ka ndarë komunës së Kumanovës 24 milionë denarë për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në zonën industriale “Novine” në Reçicë. Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, kjo është një ndër zonat më të mira industriale në vend, pasi shtrihet në udhëkryqin e korridore 8 dhe 10. Zaev u dërgoi porosi biznesmenëve që të shfrytëzojnë mundësinë e të zhvendosin biznesin e tyre në këtë zonë industrial.
 
“Ne do të vazhdojmë të përcjellim komunën e Kumanovës, planet e saj zhvillimore të kësaj zone, si dhe si do të përgatiten projektet tjera, me përfaqësues të Kumanovës në Kuvend dhe Qeveri dhe me kyçjen time të drejtpërdrejt si dhe në bashkëpunim me kryetarin e Kumanovës dhe këshillin e kësaj komune, por edhe me afaristë nga oda të ndryshme ekonomike, do të përcaktojmë edhe shuma të tjera të mjeteve për zhvillim e Zonës Industriale në Kumanovë.”,- tha pos tjerash kryeministri Zoran Zaev gjatë inspektimit të punimeve në Zonën industriale në Kumanovë.
 
Dimitrievski: Investojmë 3 milionët që kursyem gjatë tenderimit
 
“Kemi bërë kursime prej mbi 3 milionë denarë në procedurën e tenderimit  dhe pikërisht këto tre milionë sot investohen si kursim në këtë Zonë Industriale. Për momentin jemi duke përgatitur planin për nxjerrjen e truallit në ankand publik, që t’u mundësohet afaristëve të ndryshëm të ngritin bizneset e tyre në këtë zonë”,- theksoi kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
 
Zona Industriale në Reçicë të Kumanovës, shtrihet në një sipërfaqe prej 65 hektarësh kurse do të ndahen 51 hapësira ndërtimore për kapacitete të ndryshme industriale.
 
FATLUM AQIFI