Maqedoni

Jovanovski në spital, anulohet gjykimi. Kadiev: Janevës iu shkel privatësia

14.09.2020 16:30

As ish prokurorja, Katica Janeva, si paditëse e as i akuzuari, Bojan Jovanovski...

As ish prokurorja, Katica Janeva, si paditëse e as i akuzuari, Bojan Jovanovski, nuk morën pjesë në fillimin e gjykimit ku Janeva paditë privatisht Jovanovskin për fotografim dhe përgjim të paautorizuar. Seanca e parë gjyqësore për këtë rast u anulua për shkak se i akuzuari Jovanovski ndodhet në mjekim spitalor për shkak të ndërhyrjes kirurgjike para pak kohësh. Në këtë rast bëhet fjalë për fotografitë e nxjerra nga celulari i Jovanovskit e të cilat u shfrytëzuan në procesin gjyqësor "Zhvatja", ku Janeva u dënua me 7 vite burg. Sipas avokatit mbrojtës, në këtë rast nuk është qëllim lartësia e dënimit, por të vërtetohet se është shkelur privatësia e Janevës dhe janë shkrepur foto dhe incizime pa e vërejtur ajo.
 
“Ne, padinë private penale e dorëzuam për 22 fotografitë të cilat u gjendën në telefonin celular të Jovanovskit që u konfiskua nga prokuroria në rastin "Zhvatja". Nuk dorëzuam për më shumë fotografi dhe incizime edhe pse kishte. Janë bërë në shumë vende, kryesisht në shtëpi, zyrë dhe në restorante. Dënimi aspak nuk është i rëndësishëm, por është propozuar edhe urdhër dënimi për dënim minimal.”,- tha avokati mbrojtës i Katica Janevës, Deljo Kadiev.
 
Ai informoi se Janeva paraburgimin shtëpiak deri në shqiptimin e vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit do ta mbajë në shtëpinë ë saj në Gjevgjeli dhe jo në Shkup edhe pse nga prokuroria kishte kërkesë që masa e paraburgimit shtëpiak të kthehet në paraburgim efektiv. Seanca e radhës është caktuar më 19 tetor. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI